Në Spanjë janë të sigurtë madje kanë bindjen se Neymar Jr në merkaton e kësaj vere do të transferohet te Reali i Madridit.
Sulmuesi brazilian ka vendosur të largohet nga PSG pas vetëm një viti në Francë ku fitoi tre trofe, për të veshur fanellën e bardhë të klubit merengues. Florentino Perez është i fiksuar pas Neymar dhe do të bëjë çmos për ta transferuar O’Ney në Santiago Bernabeu.
Reali i Madridit është gati të investojë deri në 600 milionë euro për yllin e Seleçaos, përfshirë këtu vlerën e kartonit dhe pagën e futbollistit plus taksat për 5 vitet në vazhdim.
Për të shkuar te Neymar, Los Blancos janë gati të sakrifikojnë dyshen Bale-Benzema, përcjell “SuperSport”.
Ndërkohë në krahun tjetër Paris Saint Germain që shpenzoi 222 milionë euro verën e kaluar për të blerë kartonin e Neymar nga Barcelona edhe pse nuk kërkon të privohet nga sulmuesi brazilian, ka probleme të mëdha me fair play-in financiar dhe për të mos rrezikuar sanksione nga UEFA do të bëjë disa shitje të rëndësishme gjatë kësaj verë dhe një prej të larguarve mund të jetë pikërisht Neymar.