Antarësia e PS iu drejtua kutive në 385 qendra votimi në një referendum për t’i dhënë fund debateve të brëndshme në parti për legjitimitetin e mandatit të kryetarit.

Të dhënat e para që vinë nga një burim në PS sugjerojnë për një pjesëmarrje masive, ku numri më i lartë i votuesve për momentin është shënuar në Malësinë e Madhe, me 94.8%, pasuar nga Vau i Dejës me 93.6 %, Hasi 87.9%, Puka 86.3%, Tropoja 76.7%.

Numërimi ka përfunduar në Bashkinë e Lezhës ku pjesëmarrja ishte 76.7%, nga ku “Po” votuan 97.15% dhe “Jo” 2.85%. Pas votimin në zonën e Dajtit, kryeministri Rama deklaroi se një referendum i tillë do të përsëritet edhe në të ardhmen.

“Dua të them se kjo është e para, por nuk është e fundit herë që ne do të përdorim edhe referendumin për të zgjeruar hapësirat e pjesëmarrjes dhe aksesin në vendimmarrje të çdo anëtari dhe anëtareje të partisë sonë, në një proces që është me rëndësi të veçantë pasi PS është rihapur dhe po zgjerohet dita ditës”, tha Rama.

Ben Blushi, i cili e kundërshtoi referendumin gjatë zhvillimit të tij, nuk bëri asnjë dalje publike, por nëpërmjet një njoftimi për median e quajti atë “një sajesë për t’i hequr atij personalisht të drejtën e kandidimit dhe të drejtën e zgjedhjes gjithë anëtarësisë së Partisë Socialiste”.

Blushi ngriti pretendime për shkelje, abuzime me listat, komisione të ndryshuara, pjesëmarrje fiktive dhe mbushje të kutive, sidomos në fshatra ku pjesëmarrja, sipas tij, ishte nën 30 për qind mesatarisht. “Sigurisht që pas kësaj, beteja për të rikthyer zgjedhjet dhe lirinë brenda PS do të vazhdojë pa u ndalur”, deklaroi Blushi.

Pjesëmarrja

Malësi e Madhe 94.8 %,
Vau Dejës 93.6 %
Has 87.9%
Pukë 86.3 %
Tropojë  83.3%
Lezhë  76.7%
Elbasan 86.3%
Librazhd 81.3 %
Prrenjas 86.9%
Peqin 93.4 %
Gramsh 74.1%
Belsh 87.9%
Cërrik 85.5%‎
Korçë 88.1%
Kolonjë 82 %
Maliq 85.2%
Pustec 64.2%
Pogradec 87.1%‎