Kanë mbetur vetëm edhe një javë nga afati deri kur mund të paraqiten vërejtjet dhe sugjerimet për ndryshimin e sistemit arsimor në Maqedoni. Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ka caktuar datë 10 nëntor, si kohën e fundit kur të gjithë të interesuarit mund të shkruajnë në adresën elektronike “[email protected]” ose në arkivin e MASH-it propozimet për reformën në arsim, shkruan gazeta KOHA. Paraprakisht, MASH u angazhua për përpilimin e Strategjisë Gjithëpërfshirëse të Arsimit 2018-2025, i cili do të shërbejë si dokumenti bazë, mbi të cilin do të mbështeten politikat arsimore për tetë vite e ardhshme.

Në të njëjtën kohë, MASH bën të ditur se dokumenti është konsultuar edhe me ekspertë dhe akademikë, për “të vënë në pah rëndësinë” sikurse thonë ata, si dhe “duke dashur të ndjekin parimet e transparencës dhe gjithëpërfshirës”, ndërsa Strategjia Gjithëpërfshirëse e Arsimit (2018-2025) do të kalojë edhe në debat publik para se i njëjti ti dërgohet Qeverisë për miratim.

Me këtë dokument që tani më është në fazën e propozim tekstit, janë përfshirë të gjitha nivelet e shkollimit konvencional dhe jokovencional, ndërsa janë përfshirë propozimet e dala nga diskutimi me grupet punuese. Te arsimi i mesëm, për shembull, janë evidentuar 10 çështje të cilat shënojnë edhe pikat sfiduese të Strategjisë, respektivisht politikave arsimore në të ardhmen. Përveç problemit në mbingarkesën e programeve mësimore, korrigjimin e libra, aty përmendet edhe mos pasqyrimi në aktivitete mësimore dhe jashtë mësimore i arsimit ndërkulturor, si dhe disproporcioni në ndarjen e shkollave apo edhe të shërbimeve profesionale.

“Mësimdhënësit nuk marrin trajnim të duhur praktik gjatë trajnimit fillestar ose praktikës; nuk ka profesionalizëm dhe neutralitet politik të drejtorët e shkollave; shërbimet profesionale nuk janë të ekipuara sipas nevojave të shkollave (p.sh. sipas numrit të nxënësve, gjuhës në të cilën zhvillohen mësimet)”, thuhet në këtë pikë. Ndërkaq, çështja e shërbimeve pedagogjike, sikurse plotësohet më tej, është edhe faktor për cilësinë e ulët, apo të paktën për gamën e kufizuar të shërbimesh pedagogjike, si këshillimi për karrierë ose udhëzime për nxitjen e talentit të nxënësve.

Në vërejtjet për arsimin multikulturor, thuhet se “ka pengesa që ndalojnë integrimin e nxënësve, të cilët mësojnë në një gjuhë tjetër përveç gjuhës amtare”. Konkretisht, nxënësit ndahen në ndërrime, varësisht gjuhës në të cilën zhvillohet mësimi, edhe atë ka raste kur ndarjet bëhen në ndërtesa të veçanta dhe me administratë të veçantë.

“Në të njëjtën kohë, motivimi i shkollave dhe mësuesve për të siguruar integrimin ndëretnik dhe arsimin gjithëpërfshirës është shumë i ulët, për shkak të mungesës së motivimit apo mbështetjes financiare”, qëndron në dokumentin e Strategjia Gjithëpërfshirëse e Arsimit (2018-2025). Vërejtjet vijojnë me çështjen e vlerësimit të cilësisë së kurrikulës dhe programit mësimor si dhe me vlerësimin e nxënësve, të cilët sikurse qëndron në dokument “ wnuk janë konsistente në kuptim të të gjithë faktorëve relevantë”. Nuk janë gjithashtu koherente as reformat në fushën e arsimit të mesëm pasi nuk janë gjithmonë në përputhje me reformat në arsimin fillor, kurse mbetet në nivele të pakënaqshme mbështetja e nxënësve për pjesëmarrje, sikurse thuhet demokratike në shkollë, ashtu sikurse mungon informacioni i vazhdueshëm dhe i vlefshëm për sistemin arsimor kombëtar në perspektivat ndërkombëtare.