– Rreth 450 mijë, 500 mijë ose më shumë! A do të tregoj regjistrimi ardhshëm se sa persona kanë migruar nga Maqedonia e Veriut në dy dekadat e fundit? Parashikimet janë se 500 mijë qytetarë e kanë lëshuar vendin me shpresë për jetë më të mirë në Evropë. Kjo paraqet afë r 22% e popullsisë së përgjithshme në vend e që arriti numrin 2.076.255 sipas të dhënave nga Enti Shtetërorë për Statistika. Derisa Banka Botërore, EUROSTAT-i dhe Kombet e Bashkuara përmes analizave të ndryshme, hulumtimeve dhe studimeve, gjatë viteve të kaluara kanë bërë përpjekje ta numërojnë diasporën, ende nuk ka të dhëna relevante se sa kanë ikur nga vendi dhe në cilin kontinent kanë vendosur të fillojnë “jetën e re”. Shpresat janë sa Regjistrimi që pritet të ndodhë pas 19 viteve, do ta numërojë edhe diasporën dhe do të jep fotografi më të qartë për dëmet që do t’i pësojë shteti nga migrimi i skajshëm, para se gjithash të kuadrit me arsimim të lartë.

LICITIME

Në mungesë të të dhënave zyrtare, në lojë janë kalkulimet edhe për numrin e popullsisë në vend, por edhe rreth numrit të diasporës. “Ajo që me të vërtetë duhet të na frikësojë , është numri i atyre që e kanë lëshuar shtetin”, paralajmëroi presidenti Pendarovski. “Po migrojnë persona të rinj nga gjitha komunitetet. Regjistrimi i ardhshëm do të na ballafaqojë me frikën tonë më të madhe. Por, këto nuk janë frikë nga të ‘tjerët’, por nga ajo se sa tani jemi në shtet”, vlerësoi Presidenti. Sipas shefit të shtetit, problemet me zbatimin e Regjistrimit nuk janë as ligjore, as kushtetuese, as teknike, as shëndetësore, por problem më i madh mund të jetë politizimi i panevojshëm.

“Ky politizim përfshin thirrjet për bojkot, kalkulimet rreth përqindjes së përfaqësimit të bashkësive, paralajmërimet se nuk do të pranohen rezultatet nëse nuk e pasqyrojnë ndonjë numër të dëshiruar. Edhe pse vijnë nga anë të ndryshme, këto janë tentime për politizim dhe kanë emër të përbashkët, e kjo është frika nga rezultatet nga Regjistrimi”, u shpreh Pendarovski në takimin që e organizoi para disa ditëve me udhëheqësit shtetërorë dhe kryetarët e komunave në Entin Shtetërorë për Statistika. Sipas tij, këto janë frikë ra që dalin nga kuptimi i gabuar i konceptit për të drejtat e njeriut dhe pohimet se ndonjë e drejtë do të merret. “Për fat të keq, e vërteta është se në Ballkan, të drejtat e njeriut ende shihen në prizmin etnik dhe për këtë shkak – Regjistrimi nuk shihet si operacion statistikor, por si projekt politik. Për këtë shkak, kur numërohemi në rajon, ende besojmë se të drejtat varen nga numrat”, thotë presidenti. Pikërisht kjo, sipas tij, është shkaku kryesorë pse për 20 vite nuk është zbatuar regjistrimi te ne, pasi regjistrimi në vitin 2011 u anulua.

Por, kujt do t’i konvenonte të kemi ardhmëri të planifikuar në bazë të të dhënave të gabuara, të vjetra më shumë se 20 vite? Kryeministri Zoran Zaev tha se askush nuk i dëshiron këto vende për partner, asnjë investitorë nuk do të tregon interes të investojë kur sheh se vendi nuk i ka të dhënat themelore statistikore për resurset e saja, për fuqinë punëtore, për tregun etj. “Është me rëndësi të vërtetohet numri i popullsisë, jo vetëm në total, por në secilin rajon planifikues, lagje, komunë. Fotografi komplete në të gjitha lëmitë, në çfarë moshe, me çfarë arsimi, kualifikimi, vendi i banimit. Regjistrimi do të na jep përgjigje sa nga ndërtesat kanë efikasitet energjetik, sa nga amvisëritë ngrohen me dru etj”, thotë Zaev.

SUPOZIME DHE PARASHIKIME

Sipas të dhënave jozyrtare, më shumë se 500 mijë shtetas të RMV dhe persona me prejardhje nga vendi jetojnë në shtetet e huaja. Maqedonia e Veriut, por pothuajse gjitha vendet e Ballkanit Perëndimorë, me dekada po plaken dhe po i humbin të rinjtë, në të shumtën e rasteve me arsim të lartë. Sipas hulumtimeve të shumta, Maqedonia e Veriut deri nga mesi i shekullit do të humb së paku edhe 10% nga popullsia e saj, ndërsa përqindja e banorëve më të vjetër se 65 vjeç do të rritet në 25%. Në periudhën prej vitit 2010 deri në vitin 2013, vetëm në vendet anëtare të BE-së, nga Maqedonia e Veriut është “boshatisur” një qytet më i madh se Tetova, gjithsej 58 mijë qytetarë kanë marrë leje për qëndrim ose shtetësi. Në vitin 2014, të dhënat për numrin e përgjithshëm të personave që kanë migruar të cilën MPB e ka dorëzuar deri te KSHZ, është rreth 69.000 persona.

Sipas të dhënave të dhënave të EUROSTAT-it, për periudhën nga viti 2010 deri në përfundim të vitit 2013, gjithsej 58.713 qytetarë kanë marrë leje për qëndrim ose shtetësi në Bashkimin Evropian. Nëse marrim parasysh se shumë qytetarë largohen për ta kërkuar fatin në Evropë me pasaporta bullgare, ose në të zezë, atëherë lehtë mund të supozohet se numri i të migruarve është shumë më i madh nga të dhënat e publikuara të disa organizatave. Kjo, lë hapësirë për brengosje serioze. Sipas Strategjisë për zhvillim demografik të qeverisë për vitin 2008-2015, në vit nga shteti largohen mes 10.000-15.000 persona.

PARALAJMËRIME PËR TË DHËNA TË SAKTA TË MIGRIMIT

Zë vendë sdrejtori i Entit Shtetërorë për Statistika, Ilmi Selami, ka theksuar me Regjistrimin që do të ndodhë – mund të kemi pasqyrë më të saktë rreth shtetasve që kanë migruar jashtë vendit, sepse ESHS ka paraparë mënyrë që këta shtetas të evidentohen në Regjistrim. Ai përmend metodën e vetëregjistrimit elektronik, apo t’i regjistron ndonjë i afërm i tyre që i di informatat e personit gjegjës që ndodhet në mërgatë. “Me regjistrimin e këtij viti, është paraparë mundësia që nga 1 marsi e deri me 21 prill, mërgata me shtetësi të Republikës së Maqedonisë së Veriut, pra mërgata jonë, të mund të vetëregjistrohen me Regjistrim elektronik nëpërmjet aplikacionit që do të jetë në faqen e internetit të Entit Shtetëror për Statistika. Kjo është njëra nga mënyrat apo mundësitë që ato të regjistrohen. Nëse për ndonjë arsye të tyre subjektive nuk arrijnë që të vetëregjistrohen, atëherë regjistrimin e tyre do ta kryejë këtu në shtet, ndonjë i afërm i tyre që i njeh dhe i di më së miri informatat që nevojiten për regjistrimin e personave gjegjës në mërgatë. Kështu, në fund të Regjistrimit, do të vijmë deri te të dhëna të sakta për numrin e shtetasve tanë që kanë migruar e që jetojnë dhe punojnë jashtë shtetit më tepër se një vjet”, ka deklaruar për KOHA, Ilmi Selami.