Paqartësi e shqetësime të shumta nga ana e qytetarëve  janë krijuar rreth kandidimit të kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për postin e kryeministrit, kjo pasi që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në broshurën e publikuar me listën e kandidatëve, ka fshirë numrat e kandidatëve të cilët nuk janë certifikuar.

E pyetja kryesore e qytetarëve është se çfarë do të ndodhë me votën e tyre nëse votojnë kandidatët të cilët nuk janë të certifikuar nga KQZ, përfshirë këtu edhe liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti.

Lidhur me këtë temë, edhe një tjetër sqarim ka dhënë përfaqësuesi i Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi.

Ai nëpërmjet një postimi në Facebook thotë se duke e votuar numrin 1 të Lëvizjes Vetëvendosje, vota gjithsesi mbetet e vlefshme dhe numërohet.

“Përgjigja është PO është e vlefshme. Duke e votuar numrin 1 të Lëvizjes Vetëvendosje, vota gjithsesi mbetet e VLEFSHME dhe numërohet. Numrin e deputeteve nga LËVIZJA VETEVENDOSJE! e përcakton vota për nr. 127 Lëvizjen Vetëvendosje!”, ka sqaruar Kurteshi.

Kurteshi tutje shton se votat për kandidatët e përcaktojnë vetëm radhitjen e kandidatëve brenda listës së Lëvizjes Vetëvendosje!  nga 1 deri ne 110.

Për më tepër ndiqni sqarimin e plotë:
https://www.facebook.com/sami.kurteshi.1/posts/3201742443260144