Brenda 7 ditësh në ueb faqen, census.stat.gov.mk. janë vetregjistruar 6.332 qytetarë nga diaspora. Ky numër është dukshëm më i ulët se sa ai i para vendimit për shtyrjen e regjistrimit, që ka zgjatur afatin për vetregjistrim të diasporës deri në shtator.

Ndërkohë, zëvendësdrejtori i Entit Shtetëror të Statistikave, Ilmi Selami, ka apeluar deri te partitë politike në vend, që ta thërrasin diasporën për t’u regjistruar.

“Apel!!! U bëj apel të gjitha partive politike dhe i lus që, së bashku apo veç e veç, të dalin dhe ta thërrasin diasporën të mobilizohet për t’u vetregjistruar. Gjithashtu, të ndërmarrin aktivitete konkrete për informim, sensibilizim dhe për ndihmesë, në mënyrë që të regjistrohet edhe bashkatdhetari ynë i fundit.”,- ka shkruar Selami në Facebook. Selami ka ftuar qytetarët që t’i lënë anash partitë politike dhe të regjistrohen, pasi, siç thotë ai, vetëm me një regjistrim të suksesshëm e të plotë, fitojmë të gjithë.

Sipas të dhënave të Entit të Statistikës, deri të premten në diasporë janë vetregjsitruar gjithsej 184 mijë e 207 persona.