Ministri në detyrë i Integrimit Evropian, Blerim Reka, mbrëmë morri pjesë në debatin e Columbia University: “The Future of Kosovo”, organizuar nga ISHR dhe SESC.

Në këtë debat online të udhëhequr nga Dr. David Phillips, nga Universiteti Kolumbia të Nju Jorkut, fjalën e hapjes e paraqiti Dr. Daniel Serëer, nga Johns Hopkins University, ndërkaq pos Kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani dhe ish-kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, në debat morën pjesë edhe Arta Dade, ish-ministre e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes i Shqipërisë, Sonja Biserko, nga Komiteti i Helsinkit të Serbisë dhe Miodrag Vlahoviq, ambasador i Malit të Zi në Selinë e Shenjtë.

Fillimisht Reka përgëzoi guvernatorin e New York, Andrew Cuomo, për menaxhimin me Covid-19, duke përcjellë mbështetjen e popullit të Kosovës për qytetarët e New York dhe të SHBA-së në këto ditë të vështira të pandemisë.

Në lidhje me të ardhmen e Kosovës, Reka tha se e ardhmja e Kosovës nuk mund të jetë tjetër pos si pjesë e familjes euroatlantike të demokracive liberale.

“Kosova si edhe SHBA-të, lindën në luftën çlirimtare kundër tiranisë koloniale, ndërkaq në paqe ndërtojnë demokracinë liberale. Kosova një shekull ishte nën regjimin kolonial serb, nga aneksimi, në fillim e deri te aparteidi në fund të shekullit të kaluar. Andaj lufta çlirimtare ishte e vetmja zgjidhje për të hequr qafe pushtuesin e huaj, ndërkaq pas lufte qe mbështetur nga aleanca më e fuqishme perëndimore”.

“Pavarësia e Kosovës ishte edhe legjitime (vullneti plebishitar i popullit për çlirim nga pushtuesi i huaj) dhe legale, (bazuar në të drejtën ndërkombëtare siç e thekoi edhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në mendimin e saj të v.2010)”.

“E ardhmja e Kosovës është si pjesë e civilizimit perëndimor, si një Republikë e bazuar në sundimin e ligjit, një shtet me kufijtë e mbrojtur me Kushtetutë dhe një qeveri me qeverisje të mirë”.

Rreth çështjes së diskutuar në këtë debat për dialogun Kosovë-Serbi, Reka tha se ai “nuk mund të jetë më, sikur që ishte, pra jo më negociata asimetrike, por vetëm negociata të dy shteteve të barabarta, që duhet të përfundojnë me njohje reciproke ndërshtetërore – pa ndryshime territoriale”.