Rikthehet AH1N1 në Shqipëri, i njohur ndryshe si gripi i derrit. Instituti i Shëndetit Publik ka dhënë informacione paraditen e sotme lidhur me situatën gripale në vend.

Shefja e departamentit të sëmundjeve infektive në ISHP, Silva Bino, deklaroi se ka qarkulluar virusi i gripit i tipit B, por gjithashtu janë konstatuar edhe rastet e para të gripit të derrit, AH1N1.

“Janë vetë tre mostra të AH1N1 të analizuara në laborator. Nga analizat po vëmë re që po qarkullojnë viroza të tjera që shkaktojnë infeksione në rrugët respiratore. Qytetarët janë ende në kohë të bëjnë vaksinën antigrip”, u shpreh Bino.

Ajo shtoi se jemi në pragun epidemik dhe se më në rrezik janë fëmijët.

Gripi i derrit, është një sëmundje që prek sistemin respirator dhe e shkakton virusi i tipit A (H1N1) që origjinën e ka nga derrat.

Simptomat e gripit të derrit janë temperatura e lartë, dhimbje koke, humbje oreksi, këputje, skuqje dhe djegie të syve, dhimbje fytit, bllokim hundësh dhe kollë e thatë.

Në rastin kur e gjeni veten të rënduar, mos ngurroni që ti drejtoheni mjekut.