Pas nëntë sezoneve, Ronaldo pritet të largohet nga “Santiago Bernabeu”, nga klubi ku ka shënuar 450 gola në vetëm 438 ndeshje, duke fituar tituj të shumtë ekipor e individual, veçuar katër tituj të Champions League e 4 çmime “Topi i Artë”.

“Ishte shumë mirë të jem në Madrid, pas pak ditësh do të flas…”, kështu deklaroi Cristiano Ronaldo natën ku Real Madridi shkroi histori, duke fituar për herë të tretë me radhë Ligën e Kampionëve, të 13-ën në histori.

Pas triumfit kundër Liverpoolit, Reali organizoi festë madhështore ku kohë pas kohe deshën apo nuk deshën, Perez dhe Ronaldo duhej të takoheshin me njëri-tjetrin. Por, pas përballjeve të shumta, CR7 në një moment nuk ia zgjati dorën Perezit.

Përveç kësaj, kamerat e “El Chiringuito de Jugones” e kanë kapur portugezin në një moment duke bërë një gjest aspak të hijshëm dhe duke e shikuar Perezin në një mënyrë të çuditshme.

Duket se pas 9 viteve, Ronaldo e Reali po shkojnë drejt ndarjes. Madje portugezi është i vetmi që mungon në prezantimin e fanellave për sezonin 2018/19.