200 milionë njerëz në botë vuajnë nga sëmundja e mushkërive obstruktive kronike, 65 milionë me formën më të rëndë të saj, 3 milion është numri vjetor i vdekjeve nga SMOK.

Në Maqedoni numri i të sëmurëve arrin në 147.000. Mjekët thonë se ajri i ndotur ndikon mjaft në shtimin e numrit të të sëmurëve, bashkë me duhanin dhe ushqimet plot pesticide.

“Të jetuarit me tempo të shpejtë, pirja e duhanit pa kontroll, ndotja e ajrit dhe prania e madhe e pesticideve alergjike, e gjithë kjo ndikon mbi ne që ta kemi këtë sëmundje në rritje, veçanërisht këtu në Maqedoni dhe botë. Ndotja e ajrit gjatë kësaj periudhe ndikon në përkeqësimin e gjendjes së pacientëve me sëmundje kronike respiratore. Sëmundja është shkaku i katërt për vdekshmëri në botë nga të gjitha sëmundjet me tendencë deri në vitin 2030 të rritet në vend të tretë”,- deklaroi drejtori i Klinikës Universitare për Pulmologji dhe Alergologji.

“Krahas pirjes së duhanit është edhe ndotja e ajrit, infeksionet respiratore të shpeshta, dispozitat gjenetike, plakja e popullsisë gjithashtu llogariten si faktor që kontribuojnë në shfaqjen e kësaj sëmundje. Por, kjo sëmundje mund të parandalohet nëse diagnostifikohet me kohë”,- deklaroi mjekja, Gorica Brishkovska.

Qytetarët thonë se duhanpirja është vrasës i ngadalshëm, madje disa prej tyre, të cilët kanë pasoja nga duhani, apelojnë të tjerët që sa më shpejt të heqin dorë nga ky ves.

“Tani për tani ajri i ndotur nuk më ka shkatërruar problem, por në të ardhmen ndoshta bëhet problem i cili do të rëndojë frymëmarrjen”,- tha një qytetar.

“Mjekët më dhanë udhëzim për preventimin e sëmundjes sepse janë duhanpirës, ata më sugjeruan ta lë duhanin, por nëse këtë nuk mund ta bëjë, së paku ta pakësojë dozën e duhanit. Edhe ajri i ndotur është një faktor tjetër i sëmundjeve të mushkërive”,- u shpreh një qytetar.

“Mua më pengon ajri i ndotur, por edhe duhani të cilin e kam pirë. Ka 10 vite që e kam lënë duhanin, por më ka dëmtuar mushkëritë dhe tani dëmtimi rri dhe nuk përhapet. Andaj ju apeloj të gjithëve të mos pinë duhan”,- potencoi një qytetar.

Gjashtëqind raste të reja të cilat janë të trajtuar në ambulancë, janë regjistruar gjatë tre muajve të fundit në vend. Sivjet 3.587 pacientë janë kuruar në shërbimet ambulatore dhe 654 janë hospitalizuar.