Rreth 18 mijë myslimanë nga shteti Rakhine i Mjanmarit kanë ikur në Bangladesh javën e kaluar, njofton Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM). Ata janë arratisur nga dhuna më e rëndë në pesë vitet e fundit në veriperëndim të Mjanmarit.

Një seri sulmesh të bashkërenduara nga kryengritësit rohingia ndaj forcave të sigurisë në veri të shtetit Rakhine të Myanmarit të premten që lamë pas e kanë nxitur eksodin, ndërsa qeveria i ka evakuuar mijëra budistë nga shteti Rakhine, transmeton Express.

IOM njofton se ka qenë e vështirë ta llogarisë numrin e personave të ngecur në tokën e askujt në kufirin mes fqinjëve, por shtoi se qindra e qindra njerëz kanë ngecur atje.

Ndërkaq sipas Oranews, Mbretëria e Bashkuar ka kërkuar dje të mblidhet Këshilli i Sigurimit i OKB-së për të diskutuar për viktimat civile në masë, pas bastisjeve nga forcat e sigurisë të Mjanmarit kundër luftëtarëve Rohingya.

“Mbretëria e Bashkuar kërkon mbledhjen e OKB-së për situatën në Birmani nesër. Nevoja për të adresuar çështjet afatgjata në #Rakhine, kërkojnë përmbajtje nga të gjitha palët”, shkroi në Tuiter, Methju Rajkroft, ambasadori i Britanisë së Madhe në OKB.

Rreth nëntë mijë myslimanë të Rohingya, disa shumë të sëmurë dhe të frikësuar për jetën, kanë ikur nga shtëpitë e tyre, duke i shpëtuar dhunës më të keq në të paktën 5 vitet e fundit, shkruan Rojters. Mijëra të tjerë janë të mbërthyer në kufirin me Bangladeshin ose po përgatiten për të mbërritur atje.

Qeveria nga ana tjetër ka evakuuar vetëm budistët, që përbëjnë shumicën e vendit.

Kombet e Bashkuara, ndërkohë që dënonin sulmet, i kërkuan Mianmarit për të mbrojtur jetët civile pa diskriminim dhe apeloi që të liheshin civilët të shkonin në Bangladesh.