Masat e larta të sigurisë për ndeshjen Shqipëri – Izrael e kanë bërë edhe më të ftohtë këtë të shtunë në Elbasan.

Në rrugët e qytetit janë parë pak mjete civile të lëvizin teksa thuajse në të gjithë segmentet brenda dhe jashtë qytetit kanë qenë të stacionuara makinat e policisë.

Trupat Renea dhe FNSH janë pozicionuar rreth stadiumit Elbasan Arena më shumë se 24 orë më parë. Policia vendase ka patrulluar vazhdimisht në rrugë dhe rrugica të qytetit. Pritet që deri në mbrëmje numri i uniformave blu në Elbasan të arrijë deri në 2000.

Ashpërsia e këtyre masave është kërkuar më së shumti nga agjentët e sigurisë së Mossad që shoqërojnë kombëtaren izraelite. Hoteli ku po qëndron ekipi ruhet ende nga personeli i policisë së shtetit i armatosur rëndë.

 Kështu që paraditen e sotme izraelitët janë shtrënguar të kryejnë ushtrime në katin e 23 të ndërtetës ku janë akomoduar.

Kjo foto e publikuar nga federata izraelite e futollit mban diciturën: Ekipi kombëtar i Izraelit. Kjo është stërvitja e mbajtur me lart se asnjëherë tjetër. Kati 23, Tirana, me një pamje mahnitëse dhe shi.

Kjo përfaqësuese do të udhëtojë pasdite në Elbasan nëpërmjet tunelit. I gjithë aksi do të bllokohet deri në kthimin e tyre në Tiranë pas ndeshjes.

Tifozët janë të detyruar të udhëtojnë nga Durrësi, ndërsa hyrja për ta në stadium do të nisë 4 orë para fillimit të ndeshjes.