Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka reaguar me shqetësim ndaj sulmeve të vazhdueshme që po i bëhen kryetares së Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanit.

Përmes një letre, RrGK ka përsëritur kërkesën që të ndalen sulmet ndaj grave në politikë dhe vendimmarrje.

“Duke përsëritur kërkesën që të ndalen sulmet ndaj grave në politikë dhe vendimmarrje, përmes kësaj letre bëjmë thirrje që të mos cenohet integriteti dhe kontributi i Osmanit në sferën publike. Osmani është figurë publike dhe është e angazhuar në politikë tash e një kohë të gjatë, andaj, puna dhe performanca e saj duhet vlerësuar mbi kritere të jetës publike dhe institucionale, dhe asnjëherë duke u nisur nga një mendësi patriarkale dhe një diskurs që në qendër ka familjen”, thuhet ndër të tjera në letër.

RrGK vlerëson se kundërshtimet politike si dhe mospajtimet institucionale duhet të shprehen pa linçime të tilla ndaj familjarëve të palëve të përfshira.

“Shpifja dhe fyerja, sipas Ligjit nr. 02/L-65 të Republikës së Kosovës cilësohen si vepra penale dhe janë të dënueshme më ligj, andaj me qëllim të ndërtimit të një shoqërie demokratike që promovon lirinë e shprehjes, mirëpo parandalon gjuhën e shpifjes dhe atë të fyerjes, RrGK kërkon që shpifjet ndaj Osmanit të trajtohen përkitazi me ligjin në fuqi”, thuhet në letër.

Gjithashtu, rrjeti i Grave në Kosovë thotë se çdo përpjekje për të zvogëluar kontributin e grave në politikë dhe në sferën publike është vetëm hap prapa në arritjen e synimit për një shoqëri të lirë, demokratike dhe të barabartë.