Shoferët në Stamboll sot kishin rastin që të shfrytëzojnë Tunelin Euroaziatik, i cili nën Bosfor lidh anën evropiane dhe aziatike të qytetit. Vozitja e cila më herët zgjaste rreth 100 minuta, tani është ulur në gjithsej 15 minuta. Me këtë ky rrugëtim ëhstë shkurtuar për 85 minuta, që do të thotë se edhe rrugëtimi Shkup-Stamboll (në pjesën aziatike) është shkurtuar për aq kohë.

Tuneli në relacionin Kazlicesme – Goztepe është ndërtuar në 106 metra nën nivelin e detit. Tuneli Euroaziatik do të duhet në masë të madhe të lehtësojë trafikun në urat “Fatih Sulltan Mehmet” dhe ura “Dëshmorët e 15 Korrikut”, dikur e quajtur Ura mbi Bosfor.

Pritet që përmes Tunelit Euroaziatik në ditë të kalojnë mes 100.000 dhe 120.000 automjete. Tuneli dykatësh nën thellësinë e detit është i gjatë 5.4 kilometra, ndërsa gjatësia e përgjithshme e projektit arrin 14.6 kilometra.

Përveç kësaj, tuneli falë teknologjisë dhe metodave bashkëkohore është ndërtuar në atë mënyrë që nuk do të jetë nën ndikim të rrezikut nga tërmeti dhe cunami.

Duke qenë të zgjeruar rrugët në hyrje dhe dalje të tunelit, komunikacioni në mënyrë shtesë është lehtësuar, ndërsa do të kontribuojë edhe në ruajtjen e ambientit, meqë rruga Kazlicesme –Goztepe do të jetë më e shkurtër andaj me këtë do të ketë më pak emisione të gazrave të dëmshme, por edhe shpenzime të mirëmbajtjes së automjeteve.