Tmerr i vërtetë është vozitja nga Struga në pikën kufitare Qafëthanë, në kufirin shqiptaro-maqedonas.
Gropa të mëdha ka pothuajse në çdo hap. Këtej çdo ditë kalojnë shumë makina dhe kamionë të cilat vazhdojnë në Shqipëri dhe Mal të Zi. Kjo rrugë është dalja kryesore për mijëra qytetarë edhe drejt bregdetit shqiptar dhe në portin e Durrësit.

“Vendasit rekomandojnë që nëse nuk është e nevojshme, qytetarët të mos e përdorin këtë rrugë. Vozitja në rrugën prej në Strugë deri Qafëthanë duket si vozitje në shtigje sllallomi.”

Vozitja është veçanërisht e rrezikshme kur bie shi. Atëherë vrimat mbushen me ujë dhe nuk duken.

Vendasit njoftojnë protesta masive dhe bllokimin e kësaj rruge, nëse së shpejti nuk ndërmerren masat e duhura. Nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve për Alsat M thonë se është paraparë riparimi i rrugës Podmolje – Strugë – Qafëthanë dhe se deri në fund të këtij muaji do të shpallet tender për projektin. Njoftuan se në tetor të këtij viti do të shpallet procedurë tenderi për hartimin e këtij seksioni në nivelin e autostradës. Deri atëherë vozitja nëpër vrimat e mëdha do të jenë përditshmëri./Alsat-M/