Ejup Rustemi, kryetar i Komisionit Qendror për Zgjedhje partiake në Bashkimin Demokratik për Integrim ka konfirmuar njoftimin e KDP-së për riorganizimin e 11 degëve të partisës. Kjo punë, sipas tij, do duhet të përfundojë më së voni deri në muajin prill.

‘Parimi ‘një anëtar një votë’ do të zbatohet për herë të parë në zgjedhjet e brendshme partiake në 11 degë të BDI-së’. Kështu deklaron për KDP-në, Ejup Rustemi, kryetar i Komisionit Qendror për Zgjedhje partiake. Ai saktëson se këtij procesi të riorganizimit të brendshëm do t’i nënshtrohen degët e BDI-së në Tearcë, Tetovë, Zhelinë, Bogovinë, Bërvenicë, Vrapçisht, Gostivar, Dollnen, Çashkë, Studeniçan dhe në Haraqinë.

‘Kjo është mundësi që të vijnë në shprehje njerëz e kuadro të reja që do të dinë t’ju japin udhë problemeve e sfidave në mënyrë që BDI të vazhdojë të jetë forca që artikulon më së miri interesat dhe kërkesat e shqiptarëve,’- deklaron Rustemi për KDP-në. Sipas tij kjo punë duhet të përfundojë deri në muajin prill dhe është vazhdimësi e reformimit të brendshëm të partisë që filloi menjëherë pas kongresit të fundit të BDI-së.

Ndonëse, kjo ‘fshesë’ përfshinë edhe dy degët ku në zgjedhjet e fundit lokale BDI korri fitore (Tearcë e Bogovinë), këto zgjedhje të jashtëzakonshme në partinë më të madhe të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut janë reflektim i partisë së Ali Ahmetit karshi rezultateve në zgjedhjet e vitit të kaluar ku pësoi humbje në garën për të parin e Tetovës dhe Gostivarit, por shihen edhe si përgatitje të parlamentaret e ardshme./KDP/