13 këshilltarë të posaçëm, 10 këshilltarë dhe 33 bashkëpunëtorë të jashtëm ka angazhuar kryeministri Zoran Zaev në zyrën e tij. Në listën prej 56 të punësuarve në kabinet, Xhezair Shaqiri, i njohur si Komandat Hoxha, u emërua bashkëpunëtor për sigurinë e brendshme dhe luftës kundër radikalizmit.
Në numër më të madh janë bashkëpunëtorët e jashtëm, të cilët sipas qeverisë nuk janë paraqitur me konkurs, për shkak se ata nuk janë në marrëdhënie pune, por me angazhim të përkohshëm. Edhe ish-ministri Fatmir Besimi, qëndron si bashkëpunëtor i jashtëm për çështje ekonomike dhe koordinim për rritjen ekonomike. Dragisha Milletiq, bashkëpunëtor i jashtëm për marrëdhëniet ndëretnike dhe bashkëpunim mes komuniteteve. Mile Zeçeviq, bashkëpunëtor i jashtëm për shërbimet e avokaturës. Mirosllav Gërçev, bashkëpunëtor i jashtëm për planifikim hapësinor urbanistik dhe ndërtimtari.
Numri i tyre është ulur dukshëm në krahasim me më herët, kurse disa prej tyre janë angazhuar pa asnjë kompensim financiar, deklaroi sot ministri i administratës, Damjan Mançevski. Duke pohuar se lista e re për angazhimin e 56 këshilltarëve në qeveri, sipas Mançevskit, në këtë rast nuk ka të bëjë me administratën, por me këshilltarët e kryeministrit, i cili ka bërë vetë përzgjedhjen e tyre.
“Lidhur me kompensimin, për të cilin Xhezerir Shaqiri është marrë vesh me Kabinetin e kryeministrit, nuk ka asgjë të çuditshme, e as që kjo është ndonjë praktikë e re. Por, përkundrazi, numri i këshilltarëve është reduktuar dukshëm në krahasim me më parë, kur këshilltarët kanë qenë paguar më shumë. Tani disa prej tyre punojnë pa asnjë kompensim financiar”, tha Mançevski.
Dje kryeministri Zaev tha se pavarësisht të kaluarës së Komandant Hoxhës, ai tani mund të kontribuojë në kabinetin qeveritar në sigurinë e brendshme dhe luftën kundër radikalizmit.
“Kjo vlen edhe nga një prej ish-komandantëve, kështu që nuk mund të cilësoni se me çfarë mund t’i ndihmojë shtetit një person i tillë. Besoj se mund t’i vijë në ndihmë drejtpërdrejtë kryeministrit, sepse unë veten e shoh si një prej bartësve të parë të konceptit “Një shoqëri për të gjithë” dhe një prej personave përgjegjës, të cilët duhet të kujdesen për shtetin për ta parandaluar ekstremizmin ose radikalizmin”, u shpreh Zaev.
Hoxha ishte i përfshirë në grupin e armatosur të Tanushës gjatë konfliktit të 2001-shit, kurse në listën e zezë të SHBA-së është vendosur nga ish-presidenti Xhorxh Bush. Edhe këshilltari special për investimet e huaja, i posaemëruari, Lube Boshkvoski, gjendet po ashtu në listën e zezë amerikane për shkak të aksionit policor të ndërmarrë në Luboten në vitin 2001, ku mbetën të vrarë 10 civilë. Nga Ambasada amerikane në Shkup thonë se dy këshilltarët e kanë të ndaluar hyrjen në SHBA. 21 Maqedoni