Kryeministri Edi Rama vlerësoi frymën solidare të shqiptarëve dhe të huajve, dhe ndihmat e shumta financiare që ata kanë dhënë për të prekurit nga tërmeti.

Shefi i mazhorancës tha se do të bëhen të gjithë vlerësimet për të mos humbur asnjë qindarkë, dhe për të nisur menjëherë nga puna nga ndërtimi i shtëpive të reja për ata që mbetën pa çati mbi kokë.

“Vetëm nga dy sipërmarrës të mirënjohur shqiptarë Behgjet Pacolli dhe Shefqet Kastrati janë 2.5 milionë euro. Bankersi ka dhuruar 1 milionë euro..e kompani të tjera janë të gatshëm ta bëjnë këtë më siguri. Nuk janë derdhur në bankë dje apo nuk mund të derdhen sot për shkak të bankave të mbyllura. Por një shumë e verifikuar me transaksione është 5 milionë euro, dhe 1.5 milionë dollarë.

Qoftë ato me figura bankare qoftë ato të dhënat e portalit e-Albania ku ka një numër shumë të madh donatorësh të vegjël që janë ata që dua t’i falenderoj të parët, nga brenda dhe jashtë vendit”, tha Rama.

4.5 milionë dollarë – tha Rama – janë mbledhur nga llogari vullnetare të hapura nga qyutetarë në Facebook dhe nga shoqatat. Ai bëri edhe një thirrje për kujdes ndaj personave që mashtrojnë në këtë situatë, siç ishte një person nga Lezha që u arrestua dje nga policia për shkak se mblidhte donacione në emër të kryeministri Edi Rama. “Adresa më e sigurtë është adresa shtetërore në e-albania”, tha ai.