Partia Demokratike Shqiptare mbajti kuvendin e saj gjatë të cilit u zgjodh kandidati për kryetar të komunës së Zhelinës, si dhe lista e kandidatëve për këshilltarë komunal.

Punimet e kuvendit i ndoqi Kryetari i PDSH-së z.Thaci dhe struktura partiake e degës. Kuvendi i degës propozoi dhe për kandidat të mundshëm për kryetar të komunës së Zhelinës u zgjodh, Sali Ajdini.

Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, z.Menduh Thaçi në fjalimin e tij para kuvendarëve mes tjerash u shpreh:

“Pushteti lokal është shumë i ndjeshëm dhe shumë i rëndësishëm unë mendoj se ne bashkërisht do të arrijmë që ta mobilizojmë popullin tonë që të çohet në këmbë. E keqja që i vjen këtij populli është Ali Ahmeti dhe BDI-ja. PDSH-ja do ta jep kontributin e vërtet që të kthehet kjo politik e mbrapsht e BDI-së dhe Ali Ahmetit, por edhe këtyre partive tjera që e luajnë rolin e opozitës. Situatat fillojnë të bëhen shumë serioze, shpresoj se nuk del kështu si e parashikoj për këta zgjedhje. Mendoj se maqedonasit duan ta rrumbullakojnë një projekt dhe program që e kanë përgatitur, që ti fitojnë një pjesë të komunave shqiptare si Strugën, Kërçovën, Dibrën, Hraçinën, e kështu me radhë dhe kjo është jashtëzakonisht e dëmshme. Marrja e pushtetit lokal në këto zona shqiptare nënkupton marrjen e pushteti që ka kontakt direkt me qytetarët dhe me regjistrimin e popullsisë. Ata përgatiten për këtë regjistrim dhe në kuadër të këtij regjistrimi duan që mundësisht të na ndjerin neve sa më pak dhe të fitojnë të drejtën që të na quajnë pakicë. Ne bashkërisht, deri në fund duhet të mundohemi që mos të ndodh ky plan, andaj duhet tu apelojmë krejt shqiptarëve që të çohen në këmbë, të dalin të votojnë, të votojnë PDSH-në, se nuk është vota lojë, vota është perspektivë e vërtet individuale, familjare dhe e gjithë popullit”.