Kanceri që fillimisht i është paraqitur në pjesën e barkut dhe pastaj edhe në kokë, ka bërë që 37 vjeçarja nga Tetova, Sebajete Bislimi, për pesë vite radhazi të luftoj për jetë. Harxhimet e shumta për të përmirësuar gjendjen shëndetësore të saj, shkruan SHENJA, kanë bërë që familja Bislimi edhe kushtet ekonomike t’i kenë në gjendje të rëndë. Sebajetja tregon që para ca muajsh u operua në bark dhe pikërisht në momentin që mendoi se gjendja e saj është stabilizuar, ajo kuptoi që kanceri i është paraqitur edhe në kokë, gjegjësisht në trurin e vogël.

Sebajete Bislimi

“Që pesë vite që përballem me këtë sëmundje. Këtë vit jam bërë operacion në bark, nuk ka as dy muaj që jam operuar, tumori ka filluar të përhapet…Unë jam operuar prej tumorit dhe tash kam nevojë për ta ndalë tumorin, sepse tash e kam në trurin e vogël, prej barku e hoqa, ndërsa prej trurit vogël jo. Pra nuk munden të më operojnë, por më ka thënë ai profesori që kjo terapi e ndalon tumorin që të mos e kapë pjesën tjetër të trurit, se tash ka filluar dora, këmba, sikur jam duke ndejtur, bie”.
Sfidat e kësaj familje nuk përfundojnë me kaq, ata nga mungesa e një shtëpie të tyre jetojnë me qira edhe atë në katin e 5-të të ndërtesës, që e vështirëson akoma më shumë përditshmërinë e kësaj familjeje. Terapia për mjekim kushton rreth 5000 €, shumë të cilën siç thotë Sebajetja e kanë të pamundur ta grumbullojnë. Me një brengë të madhe ajo tregon shqetësimin për dy fëmijët e saj që shpesh kur kthehen nga shkolla e gjejnë të shtrirë për dysheme.

Sebajete Bislimi

“Këtë terapi që ma kanë dhënë nuk mund ta arrijmë, se nuk kemi asgjë, as për të shitur, as për të blerë…pa bukë kemi ndejtur, i kemi lënë gjitha gjërat, por qirasë dhe sëmundjes i kemi qëndruar ballë, se kur bie më nuk e di si ngrihem, kur të bie në mend e shoh që jam në Shkup…Unë nuk dua para as për shtëpi, as për asgjë, dua vetëm që të ngrihem për fëmijët e mi, që kur të kthehen nga shkolla, ta shohin nënën, gjithmonë kur vijnë e gjejnë derën mbyllur, asnjëherë s’mund të rrijnë me nënë…si fëmi pa nënë, djali ende pa i mbushur 15 vite ka filluar punon, për mbijetes”.
Sebajetja thotë se e kishte shumë të vështirë të flasë para kameras, por pamundësia finansiare që të vazhdojë ta luftojë këtë sëmundje e ka shtyrë që të bëjë një akt të ketillë, andaj ajo apelon që të gjithë njerëzit dorështrirë t’i ndihmojnë në mënyrë që edhe ajo një ditë t’i kthehet jetës normale dhe të kthej rolin e një nëne që kujdeset për fëmijët e saj. /SHENJA/