Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, viktima kryesore e 27 prillit, kërkon nga Ali Ahmeti që publikisht të tregojë se kush janë funksionarët e BDI-së lojalë ndaj Gruevskit më 27 prill.

Në një deklaratë për Gazetën Lajm, Sela kërkon që ata të dalin para organeve të drejtësisë bashkë me funksionarët e VMRO-DPMNE-së të dyshuar për 27 prillin.

Sipas liderit të ASH-së, tani vërtetohen edhe dyshimet se mes VMRO-së dhe BDI-së “diçka është zier” më 27 prill.

“Shpesh jemi deklaruar ne për deklaratata kontradiktore të figurave kryesore të BDI-së lidhur me ndodhitë e 27 prillit. Vetë fakti që Talati e ka ditë, bazohem te deklarata e tij, Agim Nuhiu s’kish ditur asgjë dhe Ali Ahmeti nuk ishte prezent në Parlament, flet që diçka është zier atë ditë. ‘Alija’ ishte ndier shumë i ofenduar pas deklaratës sime në zgjedhjet lokale të 2017-ës. Tani mendoj që duhet të dalë dhe të deklarohet se kush janë këta shqiptarë lojalë ndaj Nikolla Gruevskit, kuadro të lartë të BDI-së që kanë qenë pjesë e skenarit të 27 prillit”, deklaroi Sela për Gazetën Lajm.