Intervistë me kryetarin e Strugës, z. Ziadin Sela


Në një intervistë të dhënë ekskluzivisht për InfoPress, kryetari i Strugës dhe Lëvizjes për Reforma – Partia Demokratike Shqiptare, ka folur rreth zgjedhjeve të mundshme në Maqedoni si dhe mundësinë për koalicione. Ai po ashtu ka akuzuar partinë e BDI-së duke thënë se ata po i ndihmojnë Nikola Gruevskit për të montuar procese politike siç është rasti i Lagjes së Trimave në Kumanovë.

Intervistoi: Arbenita Bungu

InfoPress: Cili ka qenë qëllimi juaj i pjesëmarrjes në forumin e mbledhur nga intelektualët shqiptarë të Maqedonisë dhe çka prisni pas këtij forumi?
Ziadin Sela:
Ne si lëvizje prej kur e kemi nis reformën, kemi dashur që shqiptarët të flasin. Duam që të aktivizojmë shtresën intelektuale që të flasin e të mendojnë zëshëm. Ne patëm paralajmëruar që reforma brenda PDSH-së do të jetë reformë brenda shqiptarëve, dhe kjo po ndodh. Pra, një prej qëllimeve kryesore të LR-së është t’i stimulojmë njerëzit të flasin, të dëgjohet zëri i tyre kritik e intelektual. Sot u arrit ky qëllim.


InfoPress: Kur mendoni se do të mbahen zgjedhjet në Maqedoni dhe sa jeni të gatshëm për zgjedhje?
Ziadin Sela:
Unë e di kur nuk duhet të mbahen këto zgjedhje. Këto zgjedhje nuk duhet ta djegin vullnetin e shqiptarëve për ndryshime. Për të ndryshuar statusin juridiko-kushtetues të tyre dhe pozicionin e tyre në Maqedoni. Them që zgjedhjet duhet të mbahen në atë moment kur të plotësohen standardet për t’u mbajtur zgjedhje të tilla. Nga 2006-ta e deri sot, Maqedonia çdoherë ka shkuar në zgjedhje të parakohshme parlamentare, kurrë s’ka pasur mandat të tërë dhe ka pas tentativa edhe subjekte të reja, të cilat qëllimisht janë djegur dhe janë gjetur të papërgatitura nga ata të cilët duan ta ruajnë këtë status-quo politike, në rastin konkret VMRO,DPMNE, BDI dhe PDSH-ja e Menduh Thaçit.


InfoPress: A jeni të gatshëm të hyni në koalicion më partitë shqiptare në Maqedoni?
Ziadin Sela:
Po. Qëndrimet e mia kanë qenë konsistente dhe çdoherë kanë qenë po. Ne jemi të gatshëm për të bërë aleancë me të gjitha subjektet opozitare shqiptare dhe ne e kemi bërë një gjë të tillë me Rilindjen Demokratike Kombëtare. Jemi të hapur për të gjithë subjektet opozitare shqiptare që të bëhen pjesë e kësaj aleance për shqiptarët të barabartë, në mënyrë që të sjellim ndryshime për ata që pretendojmë dhe duam t’i përfaqësojmë, e këta janë shqiptarët e zakonshëm. Ata të cilët lindin sot e do të lindin nesër, dhe që do të duhet të trashëgojnë këtë të tanishmen që ne e krijojmë sot.

  1. InfoPress: Pse nuk do të bëni koalicion me BDI-në ?
    Ziadin Sela:
    Plani që ne kemi si subjekt politik, BDI e ka pasur në dorë që ta bëjë prej momentit kur i ka fituar zgjedhjet. Strategjia jonë politike është shumë e thjeshtë. Ne duam të fitojmë zgjedhjet për të mos u bërë pjesë e Qeverisë, derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese. Këtë strategji politike BDI-ja ka pasur mundësinë ta bëjë atëherë, ta bëjë edhe sot. Ne nuk kemi pse të hyjmë në koalicion parazgjedhor me një subjekt politik vetëm që të bëjmë që ai të lahet nga mëkatet. Ata duhet të përgjigjen politikisht për veprimet e tyre politike. Ata duhet të japin llogari para shqiptarëve pse janë në qeverinë e Nikola Gruevskit dhe i mundësojnë atij që të montojë procese politike siç ndodhi në Lagjen e Trimave në Kumanovë. Këtë apel e kam bërë edhe para se të ndodhë incidenti në Lagjen e Trimave. Kam bërë apel që BDI-të dalë nga qeveria sepse kjo përbërje e VMRO-së dhe DPMNE-së vepron me instinkt që të mbrojë vetën dhe çdoherë është treguar që krizat politike maqedonasit i kanë zgjedhur duke inskenuar e montuar procese politike kundër shqiptarëve.

InfoPress: Si kanë ndikuar përgjimet në spektrin shqiptar?
Ziadin Sela:
Fatkeqësisht përgjimet nuk janë shfrytëzuar sa duhet nga politikbërja shqiptare, flas për dy partitë politike parlamentare PDSH-ja dhe BDI-ja, në tryezën e bisedimeve. Për mua është e mjaftueshme të shfrytëzohet vetëm përgjimi për Sopotin që shumë mirë e zbërthejnë situatën politike në Maqedoni. Pa marrë parasysh bindjeve politike, edhe të LSDM-së edhe të VMRO-së, dënojnë shqiptarë të pafajshëm dhe pastaj nuk ua japin pafajësinë, edhe kur nuk kanë dëshmi vetëm që të ruajnë sistemin. Përgjimet dëshmuan edhe njëherë atë të cilën ne si shqiptarë e dimë. U dëshmua që shqiptarët atje po diskriminohen, që shqiptarët eksploatohen dhe për fat të keq edhe Prokuroria Speciale vetëm një proces të montuar politik maqedonas ka pas gjatë gjithë historikut të pavarësisë së Maqedonisë,e ky ishte rasti i Bushkovskit dhe ai sot është i lirë. Ndërsa, përgjimi për “Monstrën”, çështja për Lagjen e Trimave dhe ajo e Sopotës, akoma nuk merret në dorë nga Prokuroria Speciale. Kjo të bën të kuptosh që dikush mundohet të ndryshojë formën e qeverisjes në Maqedoni, dhe jo esencën. Në qoftë se dikush dëshiron të ndërrojë pushtet, ne si Lëvizje për Reforma – Partia Demokratike Shqiptare dhe Aleanca për shqiptarët jemi të interesuar për të ndryshuar shtetin dhe sistemin.

/Gazeta InfoPress