Kryetari i ASH-së Ziadin Sela i ftuar në emisionin Klan Debat, ka demantuar lajmin që ishte publikuar ditë më parë, në lidhje me atë se ASH dhe Lëvizja Besa e Bilall Kasamit kanë bërë koalicion për zgjedhjet presidenciale.

Sela mes tjerave ka thënë se për momentin partia e tij, nuk ka ndonjë kandidat të përbashkët me ndonjë parti tjetër dhe se ditëve në vazhdim organet partiake do të sjellin një vendim përfundimtarë.

“Nuk janë aspak të vërteta zërat për ndonjë kandidat të përbashkët mes Aleancës ose dikujt tjetër, ditëve në vijim organet e partisë do të sjellin vendim përfundimtarë”.

Ziadin Sela foli edhe mbi emërimin e ushtruesit të ri të detyrës, në Komunën e Dibrës, z.Hekuran Duka, duke theksuar se ardhja e ushtruesit të ri të Dibrës në Komunë, është bërë me shkelje flagrante ligjore.
 
“Shkelja e parë ka qenë nga ana e BDI-së dhe kryetari i këshillit, i cili pas 30-të e më shumë ditësh thërret seancë për ushtruesin e detyrës.

Zhvillimet e sotme në Dibër kanë treguar se është shkelur ligji edhe atë shumë rëndë, pasi rendi i ditës sot u është prezentuar Këshilltarëve, kurse i njëjti është dashur tetë ditë më herët tu prezentohet.”, tha Sela. 

Sipas tij në zgjedhjet e ardhshme në Dibër, Aleanca do të del fituese.