Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela sot ka pritur në takim Lëvizjen Anti-Bixhoz për të diskutuar në lidhje me propozim-ligjin për lojërat e fatit. Pas takimit, Sela tha se pajtohet me kërkesat e Lëvizjes Anti-Bixhoz dhe se janë duke punuar në këtë drejtim.

“Aleanca për Shqiptarët ka pasur premtim elektoral në vitin 2016, për zgjidhjen e kësaj problematike. Jemi duke punuar edhe në propozimin tonë për ligjin që e diskutuam, por natyrisht që ne jemi të gatshëm që propozimet ato i japin për ne janë të pranueshme. Është e rëndësishme që të theksohet se për ne si Aleancë për Shqiptarët kur themi institucion, nuk i referohemi vetëm shkollave, objekteve fetare ose shtetërore, por për ne institucioni më i rëndësishëm është familja. Prandaj, pjesë e zgjidhjes me rregullativë ligjore të kësaj problematike do të jetë distancimi i këtyre lojërave nga shtëpitë e qytetarëve, sepse vetëm në këtë formë mund të arrijmë në një zgjidhje të mirë e cila do ta minimizojë këtë problematikë”, tha Sela.