Ndërrimi i kursit të Republikës së Maqedonisë në politikën e jashtme dhe deklarimi i saj hapur pro perëndimit, ka “shqetësuar” Serbinë dhe Rusinë. Se ndikimi serb ishte i fortë në qeverinë kaluar VMRO-BDI, vërtetuan ngjarjet e “27 prillit” në Kuvendin e Maqedonisë, ku u përfshi në dhunë edhe një agjent serb. Tentativat për ta zbuluar synimin e agjentit irritoi fqiun verior të Maqedonisë, me ç’rast të njëjtit edhe tërhoqën personelin e tyre nga përfaqësia e tyre në Shkup, me pretekstin se Maqedonia ka përgjuar serbët. Akt ky që shënoi fillimin e një lufte diplomatike, shkruan gazeta Lajm.

Në një bisedë telefonike, dje kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq janë zotuar se do të vazhdojnë me dialog.

Njohësit e rrethanave politike veprimin e Serbisë e cilësojnë si të pakuptimtë dhe jo në dobi të paqes në Ballkan. Ish ministri i Maqedonisë për Punë të Jashtme, profesori universitar Denko Maleski për Dojçe Vele ka komentuar marrëdhëniet diplomatike Serbi –Maqedoni.

“Sa i përket argumentimit të tyre deri në momentin se i janë nënshtruar presionit të kundërzbulimit, të shtynë të mendosh se çfarë në të vërtetë do të thotë kjo. Dikush mund të thotë se bëhet fjalë për ta penguar ndikimin serb në Maqedoni. Është reagim i një raporti të këtillë, ky mund të jetë burimi i këtij reagimi drastik, që të tërhiqet një ambasadë e tërë.

Situata e dytë, është moskuptim rreth çështjes shqiptare që vazhdon një kohë ta gjatë. Serbët nuk mund ta kuptojnë se ne jemi shtet multietnik edhe pse është shumë lehtë për tu kuptuar. Qeveria jonë duhet t’i ketë parasysh interesat e qytetarëve kur sjellë vendime dhe se etnia e dytë sipas madhësisë merr pjesë në krijimin e politikave të brendshme por edhe politikave të jashtme. Kjo është shumë me rëndësi për vendin tonë dhe nga kjo varet paqja në shtetin tonë. Filozofia jonë e multikulturës dhe gjithëpërfshirës është në kundërshtim me atë që merret qeveria e Serbisë në Kosovë- ndarje të asaj që është serbe dhe shqiptare. Këtu shihen interesa të ndryshme të dy shteteve sovrane. Ne nuk do ta viktimizojmë stabilitetin e brendshëm dhe do të votojmë për Kosovën për hyrje në UNESCO, sepse kjo është në interes të interesave tona shtetërore. Mendoj se kjo është shumë e lehtë për tu kuptuar”, ka theksuar profesori Maleski.

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq në një intervistë për RTS ka thënë se shërbimet e tyre janë të fuqishëm dhe shumë mirë e dinë se çfarë ka bërë Maqedoni në lidhje me Serbinë.

“Ne nuk do të lejojmë që të na fusin në lojë, të gjithë në botë e dinë dhe janë të informuar se çfarë loje luajnë. Ne nuk kërkojmë asgjë nga Maqedonia. Si ta di unë se do ta ndryshojnë qëndrimin për UNESKO-n? Ajo që po tentojnë është që të krijojnë fotografi se Serbia është pika e vetme e zezë në Ballkan e cila së bashku me Rusinë gjoja bëjnë komplote. Ata e dinë shumë mirë se çfarë dimë ne.”, ka thënë Vuçiq për RTS.

Ai tha se nuk e dinë nëse marrëdhëniet do të jenë në nivel të lartë.

“Do të bisedoj me Zaevin, mund të flasim për ekonomi. Ndërsa, të na thoni se na doni dhe çdoherë votoni kundër ne, ju lutem më mirë mos na tregoni. Ne kundër ju nuk bëjmë asgjë, ju pranojmë me emrin kushtetues në kundërshtim me vullnetin e BE-së”, ka shtuar Vuçiç.

Nga ana tjetër, Qeveria e Maqedonisë përmes një njoftimi të përbashkët me kabinetin e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, njofton se pas një bisede telefonike mes Zaevit dhe Vuçiqit janë rishikuar gjitha aspektet e situatës së krijuar pas incidentit diplomatik që ndodhi të dielën në mbrëmje.

Nga Qeveria njoftojnë se gjatë bisedës mes Zaevit dhe Vuçiqit janë arritur këto përfundime:

1. Maqedonia dhe Serbia gjitha keqkuptimet eventuale mes tyre do t’i zgjidhin me dialog.

2. Pa dallim të qëndrimeve të ndryshme politike në lidhje me çështje të rëndësishme politike dhe rajonale, Maqedonia dhe Serbia së bashku do të luftojnë për ballafaqim, por edhe për përparimin e realacioneve miqësore mes dy vendeve.

3. Maqedonia dhe Serbia do të bëjnë hapa edhe më të mëdha për përparimin e relacioneve ekonomike dhe rritjen e këmbimit tregtar mes dy vendeve.

4. Maqedonia dhe Serbia në pajtim me të drejtën ndërkombëtare dhe vullnetit të mirë do t’i mbrojnë interesat dhe të drejtat e diplomatëve dhe konsullatave në territoret e tyre.

Në fund nga Qeveria e Maqedonisë shtojnë se me Serbinë do të intensifikojnë komunikimin dhe do ta mbështesin njëra-tjetrën në rrugën drejt BE-së.