Me përshpejtimin e procesit të integrimit të vendeve të Ballkanit nga arkat e Brukselit do të rrjedhin më shumë para, parashikon “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.

Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” (FAZ), parashikon se strategjia e re e BE-së ndaj vendeve të Ballkanit do të kushtojë shumë para.

Në dokumentin e BE-së theksohet se për të përkrahur një proces të papenguar të kalimit nga faza e kandidimit në atë të anëtarësimit në BE është e pashmangshme rritja e mjeteve financiare.

Ndaj Komisioni i BE-së propozon që deri në vitin 2020 të ndahen më shumë fonde për ndihmë para anëtarësimit (IPA).

Deri më tani, sipas gazetës gjermane, mes viteve 2018-2020 kanë qenë të parashikuara 1,7 miliardë euro.

Në dokumentin strategjik thuhet se 1,07 miliardë euro do të harxhohen gjatë vitit 2018, kështu që 600 milionë eurot e mbetura duhet të rriten për vitet 2019 dhe 2020.

“Frankfurter Allgemeine Zeitung” shkruan se në periudhën e IPA I, nga viti 2007 deri më 2013, për vendet e Ballkanit janë ndarë 4,1 miliardë euro.

Për IPA II, nga viti 2014 deri 2020 janë planifikuar 3,9 miliardë.

Këtyre iu duhet shtuar edhe programet transnacionale, kështu që Komisioni i BE-së thekson se mes viteve 2007-2017 rajoni ka marrë gati 9 miliardë euro.

Përfituesi më i madh i ndihmave financiare të BE-së është Serbia: IPA I kishte parashikuar 1,4 miliardë euro dhe IPA II 1,5 miliardë euro, mesatarisht 207 milionë euro në vit.

Paratë e BE-së rrjedhin në Ballkan për të forcuar administrarën, sundimin e ligjit, zhvillimin e përtëritshëm ekonomik, konkurrencën, demokracinë dhe qeverisjen e mirë.

Çuditërisht, shkruan gazeta e Frankfurtit, këto janë fushat që Komisioni sheh deficitet më të mëdha – përkundër ndihmës shumëvjeçare me miliona.

FAZ citon ekspertin e Ballkanit të London School of Economics, William Bartlett, i cili thotë se përvojat e deritanishme me Slloveninë dhe Kroacinë si anëtare të BE-së janë përgjithësisht pozitive.

Ato, sipas tij, janë objekte më të mira për referencë, ndaj eksperti nga Londra thekson se është e drejtë që vendeve të Ballkanit t’u jepet një perspektivë e qartë e anëtarësimit.

Gazeta gjermane shkruan se në krahasim me Turqinë, e cila ka katër herë më shumë banorë se Ballkani (18 milionë), vendet e rajonit marrin dukshëm më shumë para nga Brukseli.

Për Kosovën në kuadër të IPA II mes viteve 2014-2020, janë parashikuar 645,2 milionë euro.