Shtetet e Bashkuara paralajmëruan qytetarët e tyre për “kërcënime të besueshme” në zonat turistike të Turqisë e sidomos në Stamboll dhe qytetin jugor të Antalias.

Si Shteti Islamik, ashtu edhe militantët kurdë kanë marrë përsipër përgjegjësinë e një serie sulmesh vdekjeprurëse që kanë tronditur vendin këto muajt e fundit. Situata atje, për Uashingtonin, paraqitet shqetësuese.

Paralajmerimi i publikuar në faqen e internetit të Ambasadës Amerikane në Turqi përfshinte dhe këshillat për shmangien e çdo udhëtimi jo të domosdoshëm drejt këtij shteti.

Ka të dhena që flasin për një rrezik real në pikat turistike turke, e veçanërisht në sheshet publike të Stambollit dhe Antalias, thuhet aty.

“Ju lutemi të tregoni kujdes të jashtëzakonshëm nëse gjendeni pranë zonave në fjalë”, thuhet në njoftim. Antalia, në brigjet turke të Mesdheut, është një magnet për turistët dhe vizitohet nga miliona vetë çdo vit.

Një ditë më parë, Byroja Izraelite e Antiterrorizmit apeloi të gjithë shtetasit izraelitë që ta shmangin Turqinë, duke folur për rreziqe sulmesh të afërta.