Kanabisi mund të ndihmojë njerëzit me kushte të ndryshme shëndetësore, prej dhimbjeve kronike e deri tek kanceri – me pak efekte anësore, thotë një doktor.

Është thënë se dobëson motivimin, ndikon në skizofreni dhe paranojë, por marijuana është në fakt një bimë mjaft efektive dhe duhet të legalizohet për t’i ndihmuar pacientët të cilët kanë dhimbje, thotë një doktor.

Mike Barnes, një neurolog në Universitetin e Njukestëllit, thotë se ekzistojnë rreth tre milionë përdorues të kanabisit në Mbretëri të Bashkuar – një milionë prej të cilëve e përdorin për qëllime mjekësore.

Për momentin, të gjithë këta pacientë janë të detyruar që ta përdorin atë ilegalisht. Në ndërkohë, në SHBA, aty ku kjo bimë është legalizuar, më shumë se 1.2 milionë pacientëve u përshkruhet si recetë marijuana,

Profesori Barnes pranon se kanabisi ka edhe efekte anësore. Megjithatë, ai thotë se kanabisi është efektiv në trajtimin e sëmundjeve të ndryshme – dhe madje edhe kancerit.

Duke shkruar për faqen “The Hippocratic Post”, ai tha se legalizimi do të mundësonte edhe studime më të mëdha për përfitimet dhe dëmet shëndetësore nga kanabisi.

Gjithashtu, ai thotë se legalizimi do të mundësonte rregullimin e produktit, duke i minimizuar rreziqet nga ai. Ai thotë se legalizimi i kanabisit do të krijonte një përparësi të madhe të përdorimit të tij për qëllime mjekësore.

Kanabisi ka treguar se është shumë i dobishëm në trajtimin e sëmundjeve kronike, dhimbjeve të kancerit dhe më shumë.