Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë se sulmet e Rusisë ndaj Ukrainës janë moment i rëndë për sigurinë në Evropë, shkruan Alsat.

Por, Stoltenberg nuk ka folur për atë nëse Aleanca do të ndërmerr ndonjë veprim konkret kundër Rusisë. Stolteneberg ka thënë se liderët rusë do të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre dhe jetët e humbura.

“Ne kemi një luftë në Evropë, të shkallës dhe llojit që kemi menduar se i përkiste historisë. Ky sulm i pajustifikuar dhe i paprovokuar ndaj Ukrainës është duke vënë në rrezik jetët e shumë njerëzve. Ky është një pushtim i qëllimshëm dhe gjakftohtë që është planifikuar gjatë”, deklaroi Jens Stoltenberg, Sekretari i përgjithshëm i NATO-s.

Presidenti amerikan Joe Biden në reagimin e parë pas sulmeve ruse ndaj Ukrainës ka thënë se SHBA-të dhe aleatët do të vendosin “sanksione të ashpra” ndaj Rusisë. Gjatë një bisede telefonike me presidentin ukrainas, Biden dhe e ka njoftuar për hapat që do të marrë Uashingtoni kundër Rusisë, duke përfshirë edhe një takim special të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara si dhe një takim me liderët e grupit të shtatë vendeve më të industrializuara.

Edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka paralajmëruar sanksione të ashpra kundër Rusisë duke i bërë thirrje Rusisë që të tërheqë ushtrinë dhe të respektojë t integritetin territorial të Ukrainës.

“Me këtë paketë, ne do të shenjtërojmë sektorë strategjikë të ekonomisë ruse duke bllokuar qasjen e tyre në teknologji kyçe dhe tregje. Ne do të dobësojmë bazën ekonomike të Rusisë dhe kapacitetet për t’u modernizuar”, tha Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, e ka konsideruar sulmin rus në Ukrainë si luftë të presidentit rus, Vladimir Putin.

“Putin po sjell vuajtje dhe shkatërrim në fqinjët e tij, po shkel sovranitetin dhe kufijtë e Ukrainës… po kërcënon jetët e njerëzve të pafajshëm në Ukrainë. Ai po kërcënon rregullin paqësor në kontinentin tonë. Për këtë nuk ka arsyetim. Kjo është lufta e Putinit”, u shpreh Olaf Scholz, kancelar gjerman.

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se kundërshton operacionin ushtarak të Rusisë.
Ai e ka quajtur sulmin rus si të dëmshëm për paqen dhe stabilitetin rajonal. Ministria e Jashtme e Turqisë i ka bërë thirrje Federatës Ruse që menjëherë t’i japë fund “këtij akti të paligjshëm”.

“Sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës ka shfuqizuar marrëveshjet e Minsk-ut, ka shkelur të drejtën ndërkombëtare dhe është i papranueshëm. Sulmi paraqet goditje të rëndë për paqen dhe stabilitetin rajonal”, deklaroi Recep Tayyip Erdogan, President i Turqisë.

Sulmet ruse janë komentuar edhe Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës e cila ka thënë se çështja e Ukrainës është komplekse sa i përket aspektit historik duke shfaqur besimin se palët e prekura nuk do të mbyllin dyert për paqe dhe se do të angazhohen në dialog dhe konsultime, për të parandaluar përshkallëzimin e mëtejmë./Alsat.mk