Zyrtarë të lartë të Departamentit Amerikan të Mbrojtjes janë duke marrë parasysh mundësitë për një sulm ushtarak si kundër përgjigje ndaj sulmit me armë kimike të Qeverisë siriane që vrau dhjetëra civilë gjatë ditës së martë.
 

Këto konsultime të nivelit të lartë në lidhje me opsionet ushtarake përfshijnë Sekretarin e Mbrojtjes, Jim Mattis dhe gjeneralin Joseph F. Dunford Jr si dhe oficerë ushtarakë të Komandës Qendrore të Shteteve të Bashkuara.

Mattis do të udhëtojë në Florida, ku ai pritet të diskutojë për krizën në Siri me presidentin amerikan, Donald Trump.

Një zyrtar i lartë amerikan ka deklaruar se Shërbimi i Inteligjencës Amerikane beson se ishte qeveria siriane ajo që ka kryer sulmin me armë kimike, transmeton Klan Kosova.

Zyrtarët folën në kushte anonimiteti për shkak se bëhet fjalë për informacione të klasifikuara.

Administrata e Obamas kishte bërë plane që të sulmojë disa caqe në Siri pas sulmit që kishte ndodhur në muajin gusht të vitit 2013 ku një sulm i ngjashëm me armë kimike kishte vrarë më shumë se 1.400 civilë, duke përfshirë qindra fëmijë.

Këto plane u lanë anash pasi ish-presidenti amerikan, Barack Obama vendosi të negociojë me rusët për të eliminuar arsenalin e armëve kimike si dhe pajisjet për të krijuar gaz helmues.