11 Shtatori i këtij viti shënon 19-vjetorin e sulmit terrorist në kullat binjake të New York-ut. Si çdo gjë tjetër këtë vit edhe ceremonia përkujtimore e kësaj dite për amerikanët do të ndikohet nga pandemia.

Masat për koronavirusin do t’i ndajnë njerëzit në dy ceremoni të ndryshme. Një do të zhvillohet në sheshin memorial të Qendrës Kombëtare Tregtare dhe një tjetër pranë saj. Gjithashtu është vendosur që familjarët e viktimave të mos marrin pjesë masivisht, por grupe të vogla të vizitojnë memorialin gjatë ditës.

Por kjo ceremoni do të zhvillohet edhe nën ethet e garës presidenciale. Donald Trump dhe Joe Biden do të shkojnë në memorialin në Shanksville, ku u rrëzua avioni 93.
Trump pritet të mbajë një fjalim ndërsa Biden do të nderojë viktimat. Të dy do të shkojnë aty në kohë të ndryshme kështu që mes dy kandidatëve për Zyrën Ovale nuk do të ketë kryqëzim rrugësh.
Më 11 Shtator të 2001, 19 persona rrëmbyen 4 avionë komerciale amerikanë të mbushur me udhëtarë. Në total 2 977 persona mbetën të vrarë në New York, Washington dhe jashtë Shanksville, Pennsylvania. Sulmet u orkestruan nga lideri i al Qaeda, Osama bin Laden./tvklan.al