Presidenti amerikan Donald Trump ka paralajmëruar se durimi strategjik për Korenë e Veriut ka marrë fund dhe tashmë është koha për një përgjigje të vendosur. Lideri i Uashingtonit ka nxitur Penianin të zgjedhje një rrugë të mirë sa më shpejt, ndërkohë që siguroi se po bashkëpunon me vendet e rajonit për sigurinë në Azi.
Presidenti amerikan, Donald Trump, është shprehur se vitet e “durimit strategjik” me Korenë e Veriut kanë dështuar dhe tani është koha për një “përgjigje të vendosur”.
“Përballemi me kërcënimin e një regjimi të pamatur dhe brutal,” u shpreh Presidenti në një konferencë për shtyp me homologun e tij koreano-jugor Moon Jae-in.
Trump nxiti Korenë e Veriut të zgjedhë një rrugë më të mirë sa më shpejt. Ndërkohë homologu i tij Moon tha se është e nevojshme që liderët koreano-veriorë të vijojnë të përfshihen në dialog.
Ai shtoi se Koreja e Jugut do të ndjekë reformat e mbrojtjes dhe do të vijojë rritjen e kapacitetit të vetëmbrojtjes.
Çështja e Koresë së Veriut, sipas Moon, ishte prioritare gjatë bisedimeve, pasi vetëm një siguri e fortë mund të sjellë paqen e vërtetë në rajonin e Azisë dhe Paqësorit.
Lideri amerikan siguroi se Uashingtoni po punon ngushtësisht me Korenë e Jugut dhe Japoninë si dhe partnerët në gjithë botën në masa diplomatike, ekonomike dhe të sigurisë për të mbrojtur aleatët dhe qytetarët nga kërcënimi koreano-verior.
Kjo deklaratë vjen pak pasi Shtetet e Bashkuara njoftuan sanksione ndaj një banke kineze që akuzohet për pastrim të parave nga Koreja e Veriut, gjë që ka shkaktuar zemërim tek autoritetet kineze.
Uashingtoni e ka shtyrë Pekinin të marrë masa më të ashpra ndaj Penianit, që ka kryer një seri testesh bërthamore.
Por në një postim në Twitter, Presidenti Trump është shprehur se veprimet e Kinës nuk kanë funksionuar.