Shtëpia e Bardhë ka refuzuar që të ndihmojë deputetët që hetojnë në lidhje me skandalin e ish këshilltarit për Sigurinë Kombëtare, Majkëll Flin. Ky i fundit mashtroi nënpresidentin amerikan, Majk Penc duke thënë se nuk ka diskutuar kurrë për sanksionet me ambasadorin rus në Shtetet e Bashkuara. Për këtë, Flin u detyrua që të japë dorëheqjen në muajin shkurt të këtij viti. Mësohet se Shtëpia e Bardhë po pengon hetimet duke mos lejuar marrjen e dokumenteve që do tregonin shumat që Flin ka përfituara nga organizata të lidhura me qeverinë ruse dhe turke. Dy senatorë amerikanë theksojnë se ish-këshilltari i presidentit Donald Trump mund të akuzohet zyrtarisht për lidhjet e tij me zyrtarët rusë. Për këtë çështje janë hapur dy hetime, nga Kongresi dhe nga FBI.