Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kundërshtuar një “non-paper” që paraqiste vija të reja kufitare në Ballkan si zgjidhje përfundimtare për rajonin. Në një deklaratë të zëdhënësit të Departamentit të Shtetit, Ned Prajs, është thënë se “e ardhmja duhet të fokusohet tek qeverisja e mirë”.

“Siç e kemi parë, spekulimet e panevojshme kohët e fundit për ndryshim kufijsh në Ballkan në bazë të linjave etnike kërcënojnë të sjellin destabilitet në rajon dhe zgjojnë jehonën e tensioneve të mëparshme. Një e ardhme e stabilizuar, e begatë për Ballkanin Perëndimor duhet të bazohet tek qeverisja e mirë, sundimi i ligjit, demokracia shumetnike dhe respekti për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore,” thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Departamentit amerikan të Shtetit, transmeton Koha Ditore.

Ditë më parë u raportua për një “non-paper” të dërguar nga kryeministri slloven, Janez Jansha drejtuar krerëve evropianë me të cilën paraqiste një hartë të re të Ballkanit si zgjidhje rajonale.

Prajs ka thënë se SHBA-ja do të vazhdojë të punojë me vendet e rajonit dhe partnerët evropianë për të çuar përpara reformat në qeverisje, shtetin ligjor si dhe përpjekjet anti-korrupsion, si dhe për të mbështetur median e pavarur dhe një shoqëri civile energjike që do të forcojnë perspektivat evropiane të rajonit dhe do të avancojnë synimet afat-gjata për një Evropë të plotë, të lirë dhe në paqe.

“Ne jemi të angazhuar të ndihmojmë vendet e Ballkanit Perëndimor të thellojnë partneritetet e tyre ekonomike, të arrijnë objektivat klimatike, t’i bëjnë rezistencë manipulimeve energjetike nga Rusia duke zhvilluar një sistem të larmishëm burimesh të energjisë së pastër, si dhe të luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ne gjithashtu duam të ndihmojmë rajonin drejt begatisë dhe rritjes ekonomike, ndërkohë që mbrohet infrastruktura dhe industritë e tij nga praktikat keqbërëse të Kinës”, thuhet në deklaratë, shkruan Zëri i Amerikës.

Deklarata ndalet edhe tek partneriteti në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë në hapësirë me vendet e rajonit, “përfshirë me anëtaret më të reja të NATO-s, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut”. “Përshëndesim përparimin që kanë bërë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut në reforma me rëndësi kritike dhe vazhdojmë të mbështesim hapjen e negociatave për anëtarësim në BE me dy vendet në qershor”.

Deklarata vijon më tej se “Shtetet e Bashkuara mbeten të gatshme të mbështesin përpjekjet për një marrëveshje detyruese, gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të bazuar tek njohja e ndërsjellë, e cila të shërbejë si themel për bashkëpunim dhe begati të qëndrueshme”. Në dokument, Prajs shpreh mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për dialogun me ndërmjetësimin e BE-së dhe u bën thirrje palëve të riangazhohen në proces me një frymë të nevojës urgjente për të adresuar temat teknike dhe politike. “Ne do të punojmë me Serbinë dhe Kosovën për të zbatuar Angazhimet e Uashingtonit në mbështetje të synimeve për normalizim të plotë,” thuhet në deklaratë.

Prajs shton më tej se SHBA po punojnë me komunitetin ndërkombëtar për të mbështetur Bosnje-Hercegovinën të vazhdojë reformat, përfshirë reformat elektorale, të cilat do t’i sjellin statusin e kandidates për anëtarësim në BE.