Zëvendëskryetarja e LSDM-së,  Radmilla Shekerinska në edicionin e sotëm të emisionit “10 Minuta” theksoi se partia e tyre ka pranuar metodologjinë e KSHZ-së me qëllim që të dëshmohet  se kush i shmanget  zgjedhjeve fer dhe demokratike.  Ajo duke folur për reformat në media, tha se VMRO-DPMNE është në një pozitë që e ka patjetër të pranojë se nuk duan të ketë reforma në media.

,,E pamë që VMRO-DPMNE-ja do të jap gjithçka, mirëpo jo kontrollin e mediave. Terri mediatik nuk është temë prej së cilës ata duan të heqin dorë. Sot Maqedonia në sferën e lirisë së mediave radhitet mes Taxhikistanit dhe Malit, në vendin e 117, apo 80 vende më poshtë se disa vite më parë. Ne mendojmë që nuk e kemi vendin atje”, tha Sheqerinska.

Terri mediatik në Maqedoni siç thotë Sheqerinska është rezultat i lidhjeve mes biznesit, televizioneve dhe politikanëve, dhe e gjithë kjo, sipas saj, paguhet me paratë e qytetarëve.

Lidhur me datën e zgjedhjeve më 24 prill, Sheqerinska tha se në këtë datë nuk mund të ketë zgjedhje të drejta dhe demokratike.

,,Nuk mund të kemi zgjedhje pa u pastruar Lista Zgjedhore dhe pa liri normale të mediave. Nuk është e rastësishme letra e dërguar nga dy ambasadorët pas deklaratës së Hanit dhe nuk është i rastësishëm njoftimi i tre vendeve anëtarë me ndikim, e as edhe reagimi i SHBA-ve në OSBE. Ata thanë se duhet sigurimi i kushteve për zgjedhje fer dhe demokratike, listë të pastruar zgjedhore, ndarjen e shtetit nga partia dhe liri të mediave”, shtoi ajo.

Nëse në prill mbahen zgjedhjet pa opozitën, kjo sipas Sheqerinskës do ta thellojë edhe më shumë krizën politike në vend.

https://youtu.be/iiqnbjWTdDU