Qeveria aktuale LSDM – BDI si në lëmitë tjera, poashtu edhe në atë të shëndetësisë bën improvizime në vend të reformave të shumëpërfolura dhe të shumëpritura. Vendrrotullimi në vend edhe më shumë dëmton imazhin e reformatorit duke dëshpëruar qytetarin e lodhur plot një dekadë.

Pas daljes të Aleancës për Shqiptarët nga qeveria, Ministria e Shëndetësisë është në kolaps të rëndë dhe tregohet insuficiente në zgjidhjen e problemeve nga e kaluara duke shtresuar probleme te reja në gjashtëmujorin e kaluar. Indikator për këtë është besueshmëria e popullatës në anketat e fundit. Derisa Ministria e Shëndetësisë nën drejtim të ish ministrit Taravari gëzonte besueshmëri prej 22% (dy përqind më shumë se vet kryeministri Zaev), ministri i ri Filipçe ka vetëm 3% besueshmëri, më pak se krejt ministritë tjera në Qeverinë e Maqedonisë.

Emigrimi i mjekëve jashtë shtetit është argument tjetër. Sipas statistikave të Odës të Mjekëve të Maqedonisë në vitin 2015 emigruan 171 mjekë, në 2016-ën më shumë deri tani, 172 mjekë ndërsa në kohën e Aleancës për Shqiptarët ky numër ra në 120 që edhe një here dëshmon se politikat shëndetësore në veçanti dhe politikat e përgjithshme të Aleancës për Shqiptarë janë më shpresëdhënëse për shqiptarët e Maqedonisë, por edhe për të gjitha komunitetet tjera. Në vitin 2018, në periudhën Janar – Prill dmth. për vetëm katër muaj kanë emigruar 110 mjekë, fenomen që tregon dhe dëshmon se politikat shëndetësore janë me kurs të gabuar që shkakton pasiguri te personeli mjekësor dhe pacientët e familjarët e tyre.

Ministria e Shëndetësisë nuk arriti të procesoj Ligjin për mbrojtje shëndetësore, i cili u përgatit nga specialistë të fushës e profesionist me përvojë të madhe dhe për herë të parë u prezantua grupeve të interesit të cilët dhanë dritë jeshile për tu prezantuar deputetëve dhe komisioneve adekuate në parlament. Ky ligj është i domosdoshëm për të ruajtur integritetin e mjekëve dhe bashkëpunëtorëve shëndetësor në njërën anë dhe integritetin e pacientëve dhe familjarëve të tyre në anën tjetër.

Poashtu, ne propozuam ndryshim – ligjin për import paralel të barnave duke eliminuar keqpërdorimet si dhe importin e barnave me kualitet dhe me prejardhje të dyshimtë që seriozisht mund të ndikoj keq në shëndetin e përgjithshëm të popullatës. Kemi informata të sigurta që muajt e fundit janë importuar barna të kësaj kategorie me ligjin e vjetër ku përparësi kanë firma të afërta me regjimin e kaluar dhe KËRKOJMË URGJENTISHT që kryeministri Zaev dhe ministri Filipçe të ndërprejnë këtë krim për të mirën e pacientëve dhe imazhin e shtetit.

Është i pakuptimtë edhe skandaloz projekti për centralizimin e laboratoreve biokimike në nivel qendror. Në fillim u deklarua se do jenë 12 e për 24 orë e zvogëluan numrin në 8 laboratore, që tregon joseriozotet, papërgatitje dhe moskonsultim me ekspertët e fushës që janë të tronditur për pasojat që mund të paraqiten në punën e përditshme, për shkak të anashkalimit të tyre nga ky proces si dhe mospasje të përvojave të tilla në shtetet përreth por edhe më gjërë.

Nga analizat e bëra Departamenti i Shëndetësisë i Aleancës për Shqiptarët kërkon që ky projekt të ndërpritet menjëherë duke propozuar që më së pari të formohen grupe të ekspertëve të cilët do bëjnë regjistrimin e aparateve ekzistuese, frekuencën dhe sasinë e punës të çdo laboratori biokimik, numrin e popullatës që mbulojnë dhe numrin dhe kualifikimet e të punësuarve në këtë fushë. Në anën tjetër, shëndetësia në Maqedoni ka probleme shumë më të mëdha se problemi i laboratoreve që me të drejtë na shtyn të dyshojmë për lojëra të pista se sa ky të jetë projekt që do lehtësonte punën e personelit shëndetësor dhe pacientëve dhe do kursente mjete nga buxheti.