Te LSDM  pas 11 dhjetorit  dhe sidomos pas publikimit të plaftormës politike të shqiptarëve të Maqedonisë po mbizotëron heshtja. Partitë shqiptare dhe VMRO-DPMNE kanë bërë publike qëndrimet e tyre, kurse në vend se t`i inkurajojë rezultati zgjedhorë që të jenë edhe më të zëshëm, LSDM si duket nuk është aq e zëshme sa ishte gjatë periudhës parazgjedhore.

Kryetari i LSDM-së Zoran Zaev në periudhën parazgjedhore ishte i mendimit se tani është momenti kur duhet biseduar për temën e gjuhës dhe për të gjitha temat tjera që kanë të bëjnë me të dy etnitë më të mëdha në vend, edhe atë siç potenconte ai, pa paragjykime.

Mandati për formimin e qeverisë po rrjedh  dhe deri më 29 janar mandatari Gruevski ka afatin që të formoj qeverinë ku si pika të panegociueshme nga BDI i janë vënë gjuha shqipe si dhe vazhdimi i mandatit të PSP-së.  

Për këtë çështje ende nuk është deklaruar LSDM që është e pakapshme për mediat kur është në pyetje se cilat pika të plafromës së shqiptarëve do t’i pranoj kjo parti.  Edhe sot zëdhënësi i LSDM-së Petre Shilegov ka përsëritur të njejtin qëndrim sikur javë më parë.

Ai për Zhurnal tha se LSDM po pret deri më 29 janar të shoh se a do mund që Gruevski të formojë qeverinë, nëse nuk formon qeverinë, më pas do të deklarohen.

“Kur të vij koha për atë çështje do të bisedojmë, këtë e kemi cekur më së paku 20 herë deri më tani. Së pari, presim të shohim se a do të formohet qeveria, nëse nuk formohet qeveria deri më 29 janar, pastaj do të dalim me qëndrimin e LSDM-së në lidhje me atë pyetje”, ka deklaruar për Zhurnal, zëdhënësi i LSDM-së, Petre Shilegov.

Ndryshe, LSDM fitoi besimin e një numri të konsiderueshëm të shqiptarëve në zgjedhjet e 11 dhjetorit, ata fituan 14 deputet më shumë se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014, por humbën shumë nga ajo vendosshmëri që kishin para zgjedhjeve.

Gati dy javë pas publikimit të paltformës së përbashkët të shqiptarëve LSDM ende mbetet në qëndrimit se do të prononcohet kur ta merr mandatin. Por çfarë nëse nuk e merr mandatin? Si do ti bind Zaev më shumë se 60 mijë shqiptarë se nuk i ka pre në besë! Si do të del para tyre në zgjedhjet lokale?

Shqiptarët që votuan LSDM-në por edhe gjithë opinioni në Maqedoni po pret qëndrim nga LSDM lidhur mbi platformën e shqiptarëve, dhe kjo “dinakëri” nga ana e LSDM-së po shkakton një huti te shqiptarët se vallë a ka qenë Zaev i sinqertë gjatë kampanjës zgjedhore ku vazhdimisht e potenconte se do të angazhohet që ta aplikojë dygjuhësinë në shtet.