Zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani, nga Amerika provoi t’ua mbush mendjen shqiptarëve se në Maqedoni ka Marrëveshje që përcakton se “Qeverinë e formojnë fituesit e bllokut maqedonas me fituesin e bllokut shqiptar”! Kjo është një lojë e rrezikshme e BDI-së, nëse Bujar Osmani flet në emër të saj, që i tërheq shqiptarët “dhunshëm të luajnë në muzikë” të VMRO-së! Pse?! Sepse, në këtë mënyrë jo vetëm krijohen praktika që nuk e ndihmon qëllimin e shqiptarëve për të fituar statusin e barabartë me maqedonasit në Maqedoni, por me vetëdije pajtohen me statusin aktual diskriminues të shqiptarëve në Maqedoni!

Nuk e kuptoj si ka mundësi ti jepet e drejta një mjeku të vendos për parime aq të dëmshme politike për shqiptarët e Iliridës! Bujar Osmani, mund të jetë një mjek “ideal”, por ai në politik është analfabet, prandaj edhe vet ai nuk duhet ti jep të drejtë vetes, edhe në rolin e zëdhënësit të BDI-së, të vendos një parim “fitues-fitues”, pa e kuptuar se nuk është në vullnetin e Gruevskit, Ahmetit apo Bujarit të vendosin parime, por janë dispozitat kushtetuese dhe ligjore ato që përcaktojnë mënyrën e krijimit të institucioneve të Shtetit në Maqedoni! Në vitin 2006 Gruevski shkeli me dy këmbën Kushtetutën dhe dispozitat ligjore që përcaktojnë mënyrën e formimit të qeverisë!

Qeveria e Maqedonisë nuk mund të formohet nëse nuk janë numrat e nevojshëm për zgjedhjen e saj në Kuvend! Ndërsa këto numra nuk janë 49 vende në Kuvend, sa ka LSDM, por s’janë as 51 aq sa ka VMRO, aq më pak 10 vende sa ka BDI! Numri minimal i vendeve në Kuvend për të zgjedhur Qeverinë është 61 vota! Ndërsa, përsa kohë që këtë kusht nuk e plotëson asnjë nga subjektet apo koalicionet që kanë marrë pjesë në zgjedhje, nuk mund të trajtohen si fitues!

Pikërisht këtë e thotë Kushtetuta e Maqedonisë! Qeverinë e formon partia apo koalicioni që jep prova se i ka 61 deputet në Kuvendin e Maqedonisë! Kjo është edhe logjikë e thjeshtë, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të merr mandatin një Qeveri e caktuar në Maqedoni! Duke marrë parasysh se shqiptarët në Maqedoni, edhe në qoftë se bëhen bashkë, nuk mund të fitojnë numrat e nevojshëm për ta formuar qeverinë, ato kanë çelsin kushtetues që e obligon çdo parti apo koalicion maqedonas ta ndajë pushtetin edhe me shqiptarët! Dhe nuk mund të ketë formim të Qeverisë pa pasur partinë apo koalicionin e partive shqiptare që kanë shumicën e deputetëve shqiptar në Kuvend! Pikërisht në këtë logjik, shqiptarët nuk kanë asnjë obligim ligjor, qoftë edhe moral, ndaj asnjë subjekti apo koalicioni të partive maqedonase, aq më pak kur nga blloku maqedonas nuk ka fitues! Shqiptarët s’kanë obligim të zgjedhin VMRO-në e Gruevskit për bashkëqeverisje për faktin se ajo gjatë dekadës së kaluar u krijoi tmerre shqiptarëve në Maqedoni! Është blloku i partive shqiptare ato që vendosin nëse do të marrin pjesë në qeveri me 51% apo 100% të tyre, dhe jo blloku maqedonas të zgjedh nëse dëshiron këtë apo atë parti ose koalicion të shqiptarëve!

Atëher, për çfarë parimesh e ka fjalën Bujar Osmani, nëse partitë shqiptare kanë hartuar një platformë të përbashkët, përballë dy blloqeve maqedonase, në disa pika për pjesëmarrjen e tyre në Qeveri! Në qoftë se tashmë e kanë thënë publikisht fjalën e tyre shumica e partive shqiptare, nënshkrues të Platformës së përbashkët, se për asnjë kusht nuk pranojnë koalicion me një mandatar, si Nikola Gruevski, që ndiqet penalisht për vepra të rënda penale, atëher pse duhet që Bujar Osmani i BDI-së të shkon në Amerikë dhe nga atje të lëshoj deklarata publike për koalicione parimore “fitues-fitues”! Kush janë fituesit, sipas Bujar Osmanit, bazuar në nenin 9-të të Kushtetutës së Maqedonisë! Fitues është partia apo koalicioni që ka fituar 61 deputet, ndërsa VMRO i ka 51, pra nuk është fitues! Ndërsa te blloku shqiptar, sipas Bujar Osmanit, cila parti apo koalicion e ka 51% të deputetëve shqiptar në Kuvend! Mos vallë Bujar Osmani mendon se BDI me 10 deputet ka shumicën nga 22 deputet shqiptar sa janë në Kuvendin e Maqedonisë! Si mjek ndoshta mund të mendon ashtu, sepse ato kanë problem me numrat!

Kështu, as VMRO dhe aq më pak BDI mund ta quajnë veten “fitues”, sepse nuk janë! Fitues do të jenë ato që do të numërojnë 61 deputet në Kuvend! Dhe, nëse BDI mendon të shkel mbi Platformën e përbashkët shqiptare për të shpëtuar Gruevskin, Janakievskin, Jankulovskën, Veljanovskin,…, të VMRO-së nga burgu, kjo është e drejtë e tyre, por ama, kjo do të jetë edhe vendim që do e varros BDI-në nga skena politike në Maqedoni, duke filluar nga ky vit në zgjedhjet lokale! /Gazeta Epoka Shqiptare