Shkruan Lavdrim Rexhepi

 

Me LSDM-në BDI-së nuk i ka ecur asnjë herë! Nëse veç pak e ngacmojmë mbamendjen sakaq do të na shpërfaqen imazhet e Ali Ahmetit në tryezë me Branko Cervenkovskin duke iu rrëfyer si para priftit për fajin që e kishte bërë në sulm kundër sovranitetit të Maqedonisë. Nga ky gabim i tij fatal ishte në gjendje që t’i futet edhe në b… Ashtu dhe ndodhi, tërë atë që bijtë shqiptarë e arritën në arenën e betejave duke derdhur gjak e duke dhënë jetë për një të ardhme më të lumtur për shqiptarët e Maqedonisë, Ali Ahmeti e humbi në tryezën e bisedimeve me Branko Cervenkovsin, liderin historik të LSDM-së, duke pranuar që të bëhet vasal i përjetshëm i kësaj partie. Pranoi që të devalvohet Marrëveshja e Ohrit deri në një platformë të thjeshtë të dy subjekteve që janë në marrëveshje për themelim të qeverisë. Duke e konceptuar kësisoj këtë Marrëveshje, Ali Ahmeti nuk po e vërente (apo po e bënte qëllimisht, sipas porosive të huaja) se po e devalvonte një dokument-garancë ndërkombëtare përmes të cilit po hidheshin hapat drejt pranimit të shqipatrëve si shtetëformues. Kur e ndjeu këtë kurth të LSDM-së, Ali Ahmeti do të turret me vrap që të ulet tashmë në prehërin e VMRO-së, e cila po e priste tamam nën moton “vjen cjapi te kasapi”. Ali Ahmeti dhe partia e tij, BDI-ja, pranuan të bëhen trampolinë prej nga pastaj VMRO-ja e Gruevskit do të hidhej drejt institucionalizimit të diskriminimit të shqiptarëve të Maqedonisë.

Sakaq, Ali Ahmeti, për inat të të gjithë shqiptarëve të mërzitur do të çjerret pa pushuar se marrëveshja e Ohrit është realizuar në tërësi, në fakt po e fshihte plagosjen e identitetit kulturor e fetar të shqiptarëve të Maqedonisë, të cilët tashmë ishin shndërruar në cak gjuetie të shovenëve vmroistë.

Ali Ahmeti lejoi që shqiptarët e Maqedonisë të shndërohen në mish për top të VMRO-së së Gruevskit! Nga përgjimet telefonike të publikuara dhe nga ato që po qarkullojnë dora-dorës, shihet që BDI-ja ose ka qenë e pafuqishme ose ka qenë tepër shumë e korruptuar madje deri në mbyllje të gojës e të syve përballë krimeve politike e fizike që bëheshin mbi shqiptarët e Maqedonisë.

Krehja apo “mini vetingu” që po i bëhet organeve të gjyqësorit të Maqedonisë që u themeluan sidomos në periudhë e qeverisjes së VMRO-së me vasalin e vet BDI-në, po dalin konstatimet e pamohueshme se BDI-ja i ka duart deri në bërryla të zhytur në gjakë shqiptari. Të gjitha organet e diskutueshme të drejtësisë janë ngritur dhe lejuar me nënshkrim të ministrit të drejtësisë, Blerim Bexhetit! Të gjithë gjykimet politike të ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të gjithë komandantët që ua kishin futur në palcë frikën shovenëve vmroistë, të gjithë rastet e montuara politike, sidomos ajo e “Monstrës” dhe kjo e fundit e “Lagjes së Trimave”, në fakt mbajnë firmën e gjykatësve të emëruar e të avancuar, të pozicionuar e të graduar nga Blerim Bexheti. Këtë nuk mund ta mohojë as Blerim Bexheti dhe as Ali Ahmeti, sepse, nga përgjimet e telefonatave të tyre në mes vete, nga përgjimet e telefonatave të zhvilluara të Blerim Bexhetit me Gordana Jankullovskën, Musa Xhaferin dhe me Sasho Mijallkovin, zbërthehen të gjitha ato lojëra të pista që i kanë zhvilluar mbi kurriz të shqiptarëve të Maqedonisë.

Tani, BDI-ja, për ta dëshmuar integrimin e tërësishëm në shoqërinë maqedonase, duke u tallur me shqiptarët dhe duke ua servirur një perspektivë shumë të mjegullt, i futet procesit të dëshmimit dhe betimit të heqjes dorë nga vlerat shqiptare. Krenaria e kombit shqiptar në Maqedoni pa dyshim që është HARAÇINA të cilen në kohën e luftës Komandant Hoxha e kishe shndërruar në “Kështjellë të pamposhtur” të dinjitetit kombëtar të shqiptarve.  Sot, Ali Ahmeti ua fali me lehtësinë absolute LSDM-së, duke i thyer në kurriz shqiptarët e kësaj ane, me ate që do të haste në përkrahje të LSDM-së në Komunën e Sarait, me qëllim që ta fitojë ish-ministri vmroistë antishqiptar, Blerim Bexheti, nënshkruesi i burgimit të rëndë të KOMANDANT AGIMIT i cili në kohë lufte ia kishte baltosur deri në palcë krenarinë kombëtare e politike LSDM-së dhe liderit të tyre historik, Branko Cervenkovskit. Natyrisht, LSDM-ja këtë fitore Blerim Bexhetit do t’ia garantojë vetëm përmes “ujkut të vetmuar” të UDB-së, Mulla Sulës, i cili dikur shquhej si armiku më i madh i UÇK-së duke i bashkërenduar vlerësimet dhe bindjet për këtë ushtri shqiptare bashkë me ato të Menduh Thaçit si për një “grup terroristësh dhe hajnash nga Kosova”! Edhe në këtë Komunë po i shkaktohet një plagë e rëndë dinjitetit dhe krenarisë kombëtare të shqiptarëve të Maqedonisë. Natyrisht, si shpërblim për këtë lojalitet prej vasali në njërën anë dhe, në anën tjetër, si gëzim i ngordhësirave që iu dha rasti t’i ngulfasin vlerat kombëtare me kutërbimin e tyre prej fëlliqësirave kontaminuese, LSDM-ja, Mulla Sula dhe BDI-ja do t’i bashkojnë ndikimet që të arrijnë sa më shumë vota në të mirë të një kandidati (Visar Ganiut) i cili do të jetë viktimë edhe më e rëndë se sa Izet Mexhiti. Nëse e do Zoti Mëshirëplotë, nuk do t’ia mundësojë uljen në karrigen e kryetarit të Komunës së Çairit, sepse do të ngelë në histori si kandidat konsensual i një tradhëtie të madhe antishqiptare. Dhe kjo tradhëti tashmë ka nisur të nxjerrë kokën e vet duke i vampirosur të gjitha forcët antishqiptare kundër bashkimit të votave shqiptare që do të sillnin një sukses i cili do ta paralizonte qeverisjen kuisilinge LSDM-BDI! Sepse, bashkimi i votave të koalicionit ASH-BESA do ta gjenerojë edhe iniciativën kombëtare për një asociacion të komunave shqiptare në Maqedoni. Kjo ide tashmë e hedhur në letër, gjithësesi që do ta trondisë çdo projekt shqiptar-maqedonas që edhe më tej do të mundohen që territoret shqiptare në Maqedoni t’i getoizojnë deri në tmerr e trishtim. Ja pse BDI-ja, këlyshët e saj të tipit të Valon Belës, udbashët e saj të tipit të Mulla Sulës, po i tmerrohen koalicionit kombëtarisht shumë të nevojshëm të Aleancës së shqiptarëve dhe Besës. Ilaçi për këtë frikë është inkuadrimi sa më i shpejtë i të gjithë subjekteve në këtë koalicion. Ndryshe, delen e ndarë nga kopea do ta hajë ujku!