Shkencëtarët e Universitetit Tehnion në Haifa, Izrael, kanë bërë të ditur se kanë krijuar maskë mbrojtëse për fytyrë, për më shumë përdorime, që mund të shkatërrojë koronavirusin me ndihmën e nxehtësisë nga karikuesi i telefonit celular.

Përkatësisht, shpikja e re ka një USB konektor që mundëson furnizim me energji elektrike përmes karikuesit standard të telefonit celular. Kjo e nxeh shtresën e brendshme nga fibrat e karbonit deri në 70 gradë celsius, e cila është e mjaftueshme për të vrarë virusin.

Procesi i dezinfektimit të maskës zgjat rreth gjysmë ore. Dhe me këtë rast, derisa është e lidhur me karikuesin, maska nuk duhet të përdoret, thonë nga ekipi që erdhi deri te kjo shpikje.

Ekspertët besojnë se maskat njëpërdorimshe nuk janë profitabile dhe se ato ndotin mjedisin.

Patenta është paraqitur në SHBA në fund të marsit dhe studiuesit thonë se ata tani janë në bisedime me kompani private për të prodhuar maska ​​për përdorim të gjerë. Me shumë mundësi, produkti i ri do të jetë një dollar më i shtrenjtë se maskat e zakonshme.