Ministria e Arsimit dhe Komuna e Tetovës assesi të merren vesh se kush duhet t’i japë leje Shkollës “Liria” në Tetovë që procesin mësimor ta zhvillojnë në tre turne pasi nxënësit rrezikohen nga shembja e kulmit. Safet Neziri thotë se Ministria një leje të tillë mund ta japë vetëm në rast të luftërave apo fatkeqësive natyrore.

 Neve dy herë ua kemi përcjell letrat komunës dhe shkollës, njëra është me 20 janar dhe e dyta më dy shkurt të 2017, ku iu sqarohet në detaje mënyra e funksionimit të orarit dhe e kemi cituar nenin 38 alineja 5 dhe gjashtë se vetëm në raste të tërmeteve vërshimeve apo të ngjashme të jep pëlqim Ministria e Arsimit për shkurtimin e orarit të punës. Kemi pasur raste në shkolla tjera kur kanë funksionuar me tre ndërrime, mirëpo këtë vendim e ka sjell pushteti lokal pra Komuna – deklaroi Safet Neziri, ministria e Arsimit.

Nga sektori për arsim në Komunën e Tetovës nuk deshën të prononcohen para kamerës por shkurt thanë se çështja duhet të zgjidhet sipas ligjit. Ndërkohë ligji për arsim fillor obligon jo vetëm themeluesin por edhe Ministrinë, që në bashkëpunim me themeluesin të sjellin vendimet.

Puna edukativo arsimore nuk guxon të ndërpritet gjatë vitit shkollor, përveç në raste të fatkeqësive elementare (epidemi, fatkeqësia natyrore e tjera), për të cilën vendos Themeluesi, ndërsa me pëlqim paraprak të Ministrisë përkatëse – thanë nga Komuna e Tetovës.

Mbetet e paqartë, nëse rreziku për shembjen e kulmit të shkollës konsiderohet fatkeqësi. Pos kulmit problem tjetër në Shkollë paraqet edhe instalimi i vjetër i energjisë elektrike, për çka shpesh ndodh që nëpër klasa, tek prizat të paraqiten edhe lidhje të shkurta që frikësojnë nxënësit. Përderisa Ministria dhe Komuna hedhin fajin tek njëra tjetra, nxënësit e Shkollës “Liria” vazhdojnë të mësojnë në tre turne dhe me orar të shkurtuar. Drejtuyesit e Shkollës tashmë disa herë kanë kërkuar ndihëm e autoriteteve./Alsat