Dyer e dritare të prishura, mure të çara, pa banka, pa karrige dhe pa ujë. Në këto kushte mësojnë nxënësit e shkollës fillore  “Kërste Misirkov” në Graeshnicë të Manastirit. Fikri Luani, që tash e 33 vjet punon si  shërbëtor në këtë shkollë thotë se tash e disa vjet ajo është në kushte të mjerueshme.

“Kemi dy paralele të kombinuara. Siç e sheh e parregulluar, e vjetër, e ndërtuar në vitin 1941  me karrige të vjetra e dysheme të vjetra. Shkolla qendrore është në Bistricë. Ne s’kemi ku të kërkojmë ndihmë, ata thonë se s’kemi financime, ndërsa ministrin e kemi tonin. Ata nuk përgjigjen, ata përgjigjen vetëm kur janë zgjedhjet”, u shpreh ai.

Përveç Firkiut, askush tjetër nuk flet në këtë shkollë, me  shqetësimin se mund të kenë pasoja. Kjo shkollë numëron 20 nxënës, nga klasa e parë deri në të pestë.  Gjatë stinës së dimrit thonë se ndodh që shumë shpesh të anulohet mësimi, për shkak se nuk kanë dru për tu ngrohur.

Drejtoresha e shkollës, Jovanka Trajçevska e cila është përgjegjëse edhe për 15 shkolla në rajonin e Bistricës, në bisedë telefonike me TV21 pranoi se fëmijët nga Graeshnica mësojnë në kushte shumë të këqija. Madje ajo na tha se gjendja në fshatrat Mexhitli dhe Velushinë është ende më e rëndë. Sipas saj, aktualisht nuk mund të bëhet asgjë sepse shkollave u janë bllokuar xhirollogaritë për shkak të rastit me tenderët për bartje të nxënësve, të organizuar nga komuna e Manastirit, rast ky që hetohet nga Prokuroria Publike Speciale. Trajçevska vetëm përmendi se arsimtarët bëjnë përpjekje individuale që nëpërmjet organizatave humanitare dhe donacioneve të sigurojnë pajisje më të mira për shkollën. Në pyetjen  se a ka arsimtarë të mjaftueshëm për mbajtjen e mësimit për fëmijët shqiptarë, ajo u përgjigj se në Graeshnicë ka vetëm dy arsimtarë.

Për kushtet e këqija të kësaj shkolle, Ministria e Arsimit fajin ia hedh komunës së Manastirit. Këshilltari i kësaj ministrie, Safet Neziri thotë se s’ka ndonjë zgjidhje konkrete. 

“Normalisht si këshilltar i ministrisë jam i gatshëm që ti vizitoj ato shkolla dhe ta informoj ministrin, besoj se pas tejkalimit të situatës politike dhe formimit të qeveris së re do ta kemi parasysh edhe kërkesat e kësaj shkolle”, u shpreh Neziri.

Problem tjetër për nxënësit e kësaj shkolle është se nuk sigurohen arsimtarë shqiptarë, pasi që shumë lëndë i ndjekin në gjuhën maqedonase. Në këtë shkollë thonë se ka kuadro të diplomuara, por që nuk shpallen konkurse nga ana e shkollës qendrore në Bistricë dhe nga komuna e Manastirit. Banorët e Graeshincës apelojnë që të ketë zgjidhje për shkollën e tyre, pasi që siç thonë shumë familje janë të detyruara të shpërngulen.