Dega e Bashkimit Demokratik për Integrim në Gostivar tanimë ka filluar përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Kryesia e degës së BDI-së në Gostivar, unanimisht dhe me aklamacion nominoi për kandidat të mundshëm për kryetar komune në zgjedhjet e ardhshme lokale kryetarin aktual të Komunës dhe njëherit kryetar i degës dhe nënkryetar i partisë Nevzat Bejta.
Pas debatit konstruktiv dhe në përbërje të plotë të kryesisë së degës, deputeti Talat Xhaferi propozoi që kandidat për kryetar komune në zgjedhjet e ardhshme lokale të jetë kryetari aktual Nevzat Bejta.
“Kandidatura e tij u mbështet nga gjithë anëtarët e kryesisë së degës dhe në mbledhjen e zgjeruar në përbërje të kryesisë, kryetarëve të Këshillave Vendore dhe strukturave të tjera partiake të degës së Gostivarit, kandidatura e kryetarit Nevzat Bejta u mbështet me aklamacion dhe pa asnjë vërejtje”, thuhet në kumtesën e degës së BDI-së në Gostivar.
Në mbledhjen e kryesisë së degës, si dhe në mbledhjen e zgjeruar të strukturave të Bashkimit Demokratik për Integrim në Gostivar, u potencua që përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme lokale të intesifikohen që tani, ndërkohë që kryetari Nevzat Bejta propozoi që të gjithë kryesitë e Këshillave vendor të nisin me përpilimin e propozimeve për kandidatët nga radhët e BDI-së për në përbërjen e re të Këshillit Komunal të Komunës së Gostivarit.
Kryetari Bejta ka informuar se deri në fund të muajit shkurt të jepen propozimet konkrete të kandidatëve për Këshillin e Komunës së Gostivarit, me qëllim që lista e propozuar me emrat për kandidatë të mundshëm për këshilltarë komunal të jetë gati disa muaj para zgjedhjeve dhe lista finale me 31 kandidatët të jetë në përputhje të plotë me vullnetin e strukturave partiake dhe e pranueshme për shumicën e popullatës.
“U kemi propozuar edhe Forumit të Gruas dhe Forumit Rinor të japin propozimet e tyre. Dëshirojmë të kemi përfshirje të gjitha strukturave. Duhet që kandidatët e propozuar të kenë mbështetjen e strukturave partiake dhe popullatës nga vendbanimet që vijnë. Duhet të respektojmë vullnetin e shumicës”, ka theksuar kryetari Bejta, i cili me këtë rast ka falënderuar strukturat partiake për besimin e dhënë për të qenë kandidat për kryetar komune në një mandat të ri.
Kryetari i Komunës së Gostivarit Nevzat Bejta ka thënë që punët e realizuara janë pasqyra më e mirë për qeverisjen me pushtetin lokal në Gostivar, duke paralajmëruar program gjithëpërfshirës parazgjedhor për zgjedhjet e ardhshme lokale.
Bejta ka thënë që realizimi i programit zgjedhor nga zgjedhjet e kaluara, është një siguri më tepër për popullatën që edhe programi i ri zgjedhor 2017 – 2021 do të realizohet plotësisht në mandatin e ri qeverisës.
Kryetari Nevzat Bejta ka theksuar që mbështetja për Prokurorinë Speciale Publike është vendimtare për aplikimin e drejtësisë së vërtetë në vend dhe vetëm ashtu shqiptarëve nuk do t’u bëhet më padrejtësi.
Ai ka shtuar se zyrtarizimi i gjuhës shqipe është po aq e rëndësishme për barazimin e shqiptarëve si popull shtet-formues.
“Platforma e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe deklarata e partive politike shqiptare e cila është produkt i platformës së BDI-së, duhet të na udhëheq për formimin e qeverisë së re”, ka thënë Bejta duke shtuar që vendimi i liderit Ali Ahmeti për të udhëhequr bisedimet dhe për të takuar liderët e partive të tjera politike personalisht nga ana e tij, është vendim i matur dhe i qëlluar.
Mendimi i përgjithshëm, thuhet në kumtesë, ishte që t’i jepet mbështetje e plotë liderit të Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti për zhvillimin e bisedimeve si dhe vendimit përfundimtar për koalicionin e ardhëm qeverisës, i cili mbi gjitha duhet të përfaqëson vullnetin e votuesve dhe popullatës shqiptare.
Pas nominimit nga strukturat e degës së Bashkimit Demokratik për Integrim në Gostivar, fjalën e fundit do ta thotë lideri i partisë Ali Ahmeti dhe kryesia qendrore e Bashkimit Demokratik për Integrim.(MIA)