Të martën, ekipi për promovimin e ofertës akademike të UT-së ishte në takime me maturantët e Kumanovës, ndërsa sikurse tregon përgjegjësi i Zyrës për çështje arsimore, Ibrahim Neziri, janë realizuar takime edhe me nxënësit e shkollave të mesme të Tetovës, Shkupit, Gostivarit, Dibrës, Strugës, Kërçovës dhe Zhitoshës

Ofertat tanimë të shtuara akademike dhe politikat masovike në arsimin e lartë, prej vitesh kanë ndryshuar edhe qasjen e institucioneve arsimore ndaj sigurimit të studentëve. “Ditët e hapura”, prezantimi i ofertave akademike nëpër panaire apo dhe forma të tjera të ngjashme, siç duket nuk mjaftojnë për të dhënë maksimumin e mundshëm në kërkim të sa më shumë studentëve, shkruan gazeta KOHA.

Kështu, krahas ditëve të caktuara kur universitetet hapin dyert për maturantët dhe prindërit e tyre, një numër i madh i universiteteve detyrohen të ndërmarrin edhe fushata tjera promocionale, duke shkuar vetë tek maturantët, nga qyteti në qytet, madje duke kapërcyer edhe kufijtë dhe duke shkuar deri në Preshevë. Në takimet e drejtpërdrejta më nxënësit e shkollave të mesme, ekipet e posaçme të universiteteve prezantojnë në detaje drejtimet e programeve studimore që ofrojnë, mundësitë për përfitimin e bursave, kualifikimet, përgatitjet profesionale si dhe perspektivën e studimeve përkatëse. Në Universitetin e Tetovës (UT) takimet nëpër shkollat e mesëm i konsiderojnë si një detyrim që ata e ndjenë ndaj popullatës shqiptare.

“Duke marrë parasysh faktin se UT-ja është institucioni kombëtar i themeluar me kontributin e vetë qytetarëve shqiptarë, ndejmë obligimin që të japim kontributin tonë për maturantët që ata të zgjedhin drejtimin dhe profesionin e duhur duke i këshilluar të zgjedhin drejtimet sipas aftësive që posedojnë”, pohon Ibrahim Neziri nga Zyra për çështje arsimore e UT-së.

Të martën, ekipi i këtij universiteti ishte në takime me nxënësit e shkollave të mesme të Kumanovës, ndërsa Neziri thotë se deri tani kanë realizuar takime me maturantët e Tetovës, Shkupit, Gostivarit, Dibrës, Strugës, Kërçovës dhe Zhitoshës. Ditëve në vijim do të vazhdojnë takimet me maturantët në Manastir dhe Preshevë, plotëson më tej ai, duke shtuar se do të organizohen patjetër edhe “Ditët e hapura” dhe ku maturantë nga të gjitha qytetet mund të vijnë vizitojnë hapësirat e kampusit universitar në Tetovë dhe të marrin përgjigje për gjithçka lidhet me studimet në UT.

Në 13 fakultetet e UT-së ofrohen rreth 150 programe studimore të shkencave të ndryshme: shoqërore, mjekësore, matematike-natyrore, të zbatuara, bioteknike, e kështu me radhë. Afati i parë i regjistrimit për vitin akademik 2018/2019 do të jetë nga 14 deri 17 gusht, ndërsa afati i dytë nga 27 deri më 31 gusht. Prezantimi i ofertës akademike të UT-së ka nis në datën 3 prill dhe do të vazhdojë deri para “Ditëve të hapura në UT”.

Krahas prezantimit të kushteve, mundësive, llojeve të programeve dhe cikleve të studimit, në takimet me maturantë është folur edhe për organizimin e seminareve, simpoziumeve, debateve dhe konferencave shkencore. Përgjegjësi i Zyrës për arsim në UT, Ibrahim Neziri, thotë se rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe programeve ndërkombëtare për mbështetjen e arsimimit të të rinjve, si Erasmus Plus, Fulbright, Mevlana, e të tjera dhe gjithashtu është folur edhe për aktivitetet e lira studentore, të cilat organizohen nga Parlamenti Studentor.

Maturantët janë njoftuan edhe me mundësitë që Universiteti i Tetovës i ofron për studentët e dalluar, si dhënia e bursave nga vetë Universiteti, mundësitë e përfitimit të bursave nga Ministria e Arsimit, si dhe nga fondacione të ndryshme nga vendi dhe jashtë. Aktualisht, në të tria ciklet e studimeve, në UT numërohen rreth 12.300 studentë aktiv, ndërsa vitin që shkoi u regjistruan rreth 2500 studentë.