Në Shkup ka filluar konferenca dyditore e koordinatorëve nacional për luftë kundër tregtisë me njerëz në Evropën Juglindore, në të cilën ekspertë të kësaj fushe do të debatojnë për të gjetur mënyrat më të mira të bashkëpunimit për të luftuar këtë dukuri negative, raporton Anadolu Agency.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë, Agim Nuhiu, në hapje të kësaj punëtorie, tha se tema e cila do të trajtohet, meriton një trajtim tejet serioz jo vetëm nga institucionet e rendit, por edhe të mbarë shoqërisë.

Tregtia me njerëz më të gjitha devijimet që ka, tha Nuhiu, tejkalon të gjithë kufijtë e këtij problemi kriminogjen, dhe kjo në veçanti nga fakti se qëllimi kryesor i saj është eksploatimi, qoftë ai për nevoja të punës ose ai seksual.

Koordinatorja për luftë kundër tregtisë me njerëz dhe Sekretarja Shtetërore në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Magdalena Nestorovska, nga ana e saj tha se ekspolatimi seksual, në bazë të të gjitha raporteve relevante, akoma mban primatin si forma më e përhapur e tregtisë me njerëz, për të shtuar se viktimat më të mëdha janë njerëzit nga vendet e përfshira nga konflikte.

Sa i përket Maqedonisë, tha ajo, në periudhën 2013-2017 janë identifikuar 33 raste të viktimave të trafikimit, nga të cilët 22 janë fëmijë, kryesisht nga familje të rrezikuara ekonomikisht, por në një rast të veçantë janë identifikuar edhe dy fëmijë refugjatë nga Siria.

Ambasadori i Francës në Maqedoni, Christian Timonier, vendi i të cilit ka mbështetur këtë aktivitet, tha se lufta kundër trafikimit me qenie njerëzore, lidhet ngusht me aspiratat e rajonit për integrim në Bashkimin Evropian (BE), sepse siç tha imazhi i Ballkanit në Evropën Perëndimore ka pësuar shumë nga shkaku i luftërave dhe pasojave nga to.

Takimi i sotëm i koordinatorëve nacional për luftë kundër tregtisë me njerëz në Evropën Juglindore, vjen pas takimit të ekspertëve i cili u mbajt në Budvë të Malit të Zi në datat 26-28 prill, në të cilin u diskutua mundësia për përmirësimin e bashkëpunimit të gjyqësorit dhe zbulimit të rrjeteve për trafikim të migrantëve.