Shkupi pret mbështetje nga Sofja për anëtarësim në BE, “për gjuhën dhe kombin nuk ka negociata”

Negociata për identitetin e popullit maqedonase dhe gjuhës maqedonase nuk ka pasur dhe nuk do të ketë. Ato janë fakte të konfirmuara dhe vijat tona të kuqe nga të cilat nuk mund të lëvizim. Bullgarinë e kemi mik dhe presim që ta pranojë këtë realitet.

Ky është mesazhi i krerëve shtetëror në Maqedoni, pas mbledhjes së djeshme të Këshillit të Sigurisë, duke folur për qëndrimin e Sofjes për negociatat me Bashkimin Evropian, përcjell Telegrafi Maqedoni.

“Greqia e pranoi të drejtën tonë për vetpërcaktim, të drejtën për vetvendosje dhe sigurisht që negociata për identitetin dhe gjuhën tonë nuk ka pasur dhe nuk do të ketë. Bullgaria është vend mik dhe publikisht e thotë se i pranon gjuhën dhe kombin maqedonas”, tha dje kryeministri Zoran Zaev.

Edhe presidenti Pendarovski ishte i të njëjtit qëndrim. Ai tha se negociata për identitetin dhe gjuhën maqedonase nuk ka pasur asnjëherë dhe nuk do të ketë.

“Kur e nënshkruam marrëveshjen kishte përmbajtje me formulim të saktë, që ka hyrë në organizatën më të madhe botërore me 198 vende anëtare – gjuha maqedonase. Pikë. Këto janë vijat e kuqe nga të cilat nuk do të lëvizim dhe të cilat do t’i mbrojmë”, tha Pendarovski.

I pyetur se si do të arrihet marrëveshje nëse të dy palët qëndrojnë në pozicionet e tyre, Pendarovski tha se kjo do të bëhet sikur me kompromisin me Greqinë.