“Veprimet ushtarake që Rusia po merr në Ukrainë do të çojnë në mënyrë të pashmangshme në humbje të jetëve njerëzore dhe dëme materiale”, tha presidenti Stevo Pendarovski, i cili përveç dënimit të ngjarjeve, e thirri edhe Këshillin e Sigurisë Kombëtare.

“Si anëtare e NATO-s, ne i bashkohemi thirrjes së Aleancës drejtuar Rusisë për të ndërprerë armiqësitë në territorin e Ukrainës. Në emër të qytetarëve të Maqedonisë së Veriut, shpreh solidaritetin me popullin ukrainas në këto kohë të vështira”, deklaroi Stevo Pendarovski, President.

Edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski ka reaguar me gjykim të situatës.

“Lufta është mënyra më e keqe për të zgjidhur keqkuptimet dhe agresioni kundër Ukrainës është kërcënim për paqen evropiane dhe botërore. Qeveria po monitoron nga afër situatën në Ukrainë. Situata e sigurisë në vendin tonë është stabile dhe për momentin nuk ka asnjë kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e Maqedonisë së Veriut”, tha Dimitar Kovaçevski – Kryeministër.

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, ndërkaq, theksoi se Ukraina nuk është gjeografikisht larg nga këtu dhe se nëse armiqësitë përshkallëzohen, dialogu duhet të jetë prioritet.

“Nuk është larg logjikës që pasojat janë të gjera dhe shumë domethënëse. Jo vetëm nga pikëpamja ushtarake apo gjeografike, por sidomos nga pikëpamja ekonomike, sigurisht që do të ketë ndikime të përshtatshme”, u shpreh Talat Xhaferi- kryetar i Kuvendit.

Ministrja e mbrojtjes Sllavjanka Petrovska ka dënuar agresionin ushtarak të Rusisë dhe mbështet thirrjen e NATO-s për t’i dhënë fund veprimeve të Rusisë, të cilat ajo tha se përbëjnë kërcënim për sigurinë e Evropës. Me deklaratë për ngjarjet doli edhe ambasadori gjerman në vend.

“Kjo është për ne një nga periudhat më të errëta në jetën tonë. Askush nuk mund të besonte se kjo do të ndodhte këtu në Evropë”, theksoi Anke Hollshtajn- ambasadore e Gjermanisë.

Nga ana tjetër, sipas informacioneve të disa mediave që i ka shpërndarë ambasadori i Maqedonisë në Kiev, Krum Efremov, qytetarët e Maqedonisë, përkatësisht dy familje kanë kërkuar që të evakuohen, por aktualisht nuk ka fluturime civile. Përveç në Këshillin e Sigurisë, kriza në Ukrainë i shqyrtua edhe në seancë qeveritare, në të cilën Qeveria ngarkoi Ministrinë e Punëve të Jashtme që të mbledhë kërkesat e të gjithë qytetarëve tanë që ndodhen në rajonet e krizës në Ukrainë dhe të cilët do të kërkojnë mbrojtje dhe akomodim të përkohshëm. Ndryshe, autoritetet vendore e shqyrtojnë mundësinë e evakuimit të diplomatëve tanë nga Ukraina./Alsat.mk