Raportet e partive politike në vend lidhur me të ardhurat dhe shpenzimet janë joreale. Një pjesë e partive shpenzojnë më shumë para sesa që kanë të ardhura. Këtë e vlerësoi organizata “Transparencë Maqedoni” në raportin e saj të fundit.

“VMRO-DPMNE-ja në raportin e saj që e ka dorëzuar në KSHZ ka paraqitur se kanë donacione prej 4 milion e 431 mijë denarë, ndërsa ka shpenzuar 43 milion denarë. Ndërsa edhe këto shpenzime që i ka paraqitur nuk janë reale, gjegjësisht shpenzojnë më shumë se kaq”, deklaroi Slagjana Taseva, Transparencë Maqedoni.

Lëvizja BESA ka shpenzuar më shumë se paratë që i ka paraqitur në dispozicion. Tetë parti nuk i kanë paraqitur shpenzimet për shërbime komunale dhe për ngrohje, po aq as shpenzimet për shërbime komunikimi. Partitë kanë paraqitur edhe shumë shpenzime të ulëta për reklamim në internet portalet ku kanë fushatë mjaftë agresive politike.

“Deri zero është identike shuma për shembull e të ardhurave të mbledhura nga anëtarët e tyre dhe ajo që është shpenzuar për fushatë nga llogaria për donacion dhe e tillë është gjendja në LSDM. Aq sa kanë marrë si donacion nga anëtarët është shpenzuar deri në denarin e fundit. Nuk është e mundshme që raporti të jetë aq i saktë”, tha Slagjana Taseva, Transparencë Maqedoni.

LSDM-ja dhe VMRO-DPMNE-ja më së shumti para kanë shpenzuar për materiale të shtypura propagandistike, derisa BDI-ja dhe BESA janë përqendruar në reklamimin mediatik. Dy partitë maqedonase kanë shpenzuar para për mitingje të mëdha, ndërsa ato shqiptare kanë paguar më shumë për reklama në bilborde.