Në  konferencën për shtyp të mbajtur  nga Lëvizja Vetëvendosje janë komentuar arrestimet e fundit për për korrupsion.

 Anëtari i kryesisë së kësaj partie Ylli Hoxha tha se rrjeti i krimit të organizuar që u arrestua ditë më parë, i drejtuar nga deputeti i PDK -së, Azem Syla, dëshmon qartë mënyrën se si funksionon Republika e Kosovës dhe si është e kapur ajo.

“Në këtë rrjet të udhëhequr nga një deputet i PDK-së, njëkohësisht një njeri me ndikim në kreun e kësaj partie dhe i afërt me Hashim Thaçin e Kadri Veselin, pjesëmarrës ishte edhe një drejtor komune i Isa Mustafës dhe të gjithë së bashku ishin të lidhur me ish – oficerin e MUP famkeqe të Serbisë”, tha ai.

Hoxha e konsideroi shtetin e Kosovës të kapur nga krimi dhe tha se korrupsioni ka bërë liderët polikë bashkë.

“Kjo politikë e shtet – shkatërrimit dhe e kapjes së shtetit, nuk mund të funksionojë ndryshe përveçse me një bashkëpunim të ngushtë të kamuflazhit institucional dhe nëntokës reale të krimit. Bashkimi në institucione në këtë rast paraqet bashkimin në krim të organizuar. Njëra pa tjetrën nuk funksionojnë dot dhe secila është kusht i ekzistimit të tjetrës. Pa krim të organizuar nuk do të bëheshin bashkë, por edhe pa u bërë bashkë nuk do të mund të organizonin krim”, deklaroi Hoxha.