Prokuroria e Lezhës në Shqipëri ka nisur hetimin në gjendje të lirë për rreth 60 persona. Rreth 50 prej tyre po hetohen për tubim të paligjshëm, kurse 10 të tjerë për tubim të paligjshëm, kundërshtim të forcave të policisë, shkatërrim prone dhe nxitje urrejtje.

Ngjarja për të cilën akuzohen ka ndodhur mesditën e datës 31 dhjetor, vetëm pak orë përpara ndërrimit të viteve, në digën e hidrocentralit të Qafë-Mollës, në Fang të Mirditës.

Personat po prishnin flamurin turk të vendosur në basoreliev mbi digën e hidrocentralit të ndërtuar nga kompania turke “AYEN”. Gjatë deklarimeve të dhëna në polici, personat e përfshirë në këtë ngjarje janë shprehur se ata nuk janë pyetur për investimin, i cili sipas tyre ka ndërruar rrjedhjen e lumit dhe se nuk duan investime turke në zonën e tyre.

Protesta kundër vendosjes së flamurit turk mbi digën e hidrocentralit u lajmërua në rrjete sociale.

Por për Erion Perikun, drejtorin e kantierit, protesta ishte e papritur. “Jam munduar të komunikoj me ta, por ishte e pamundur. Turma ka ardhur e acaruar nga Rrësheni dhe s’ja kemi dal për të biseduar me ta. Një pjesë të madhe të tyre unë e njihja, gati gjysma e tyre kanë qenë punonjës të kësaj kompanie”, tha Erion Periku, drejtor i kantierit.

Erion Periku shpjegon se vendosja e flamujve ka qenë e miratuar që në projekt dhe se në mes të flamujve shqiptar e turk, është logoja e kompanisë.

“Arsyeja… është për të treguar bashkëpunimin e vazhdueshme që në kemi pasur, edhe kompania me shtetin, por edhe me punonjësit që kanë qenë aty”, thotë Periku.

Ky hidrocentral është një nga 4 hidrocentralet që do të ndërtohen mbi lumenjtë Fan i Madh dhe Fan i Vogël nga kompania AYEN AS Energji SHPK, që është një bashkim kompanish turke me partnerë shqiptarë.

Ndërkohë që në jo pak raste drejtuesit e kompanisë i janë drejtuar me shkresa zyrtare qeverisë shqiptare për zgjidhjen e problemeve, përfshi edhe për ngjarjen e ndodhur më 31 dhjetor. Kjo ngjarje ka shkaktuar mjaft debate edhe në rrjete sociale.